Zëvendësministri i Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Jeton Mehmeti, së bashku me ministrin Xhelal Sveçla, mori pjesë në hapjen e aktivitetit “Ditët e Kosovës në Izmir”, që po mbahet më 20 dhe 21 nëntor në Turqi.
Aktiviteti sjell një program kulturor dhe ekonomik, të hapur për publikun, si dhe një forum biznesi që synon të krijojë mundësi për takime dhe bashkëpunim ndërmjet sipërmarrësve nga Kosova dhe Turqia.
Gjatë hapjes, Mehmeti vlerësoi lidhjet e veçanta ndërmjet Kosovës dhe komunitetit shqiptar në Izmir, i cili ndër breza ka ruajtur gjuhën, traditat dhe lidhjet me vendin e origjinës.
Ai shprehu mirënjohje për Bashkinë Metropolitane të Izmirit dhe bashkatdhetarët për mikpritjen dhe organizimin e aktivitetit, i cili ndërthur promovimin e kulturës dhe identitetit me krijimin e mundësive për bashkëpunim ekonomik ndërmjet dy vendeve.

