Ministrja Kusari-Lila takoi drejtorin e Agjencisë Federale Gjermane për Tregti të Jashtme dhe Investime, diskutohet zgjerimi i bashkëpunimit

Pas pjesëmarrjes në konferencën Investment Management Exhibition (IME 2026), në Frankfurt të Gjermanisë, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka zhvilluar një sërë takimesh me përfaqësues të institucioneve dhe organizatave të biznesit gjerman, me fokus promovimin e mundësive për investime në Kosovë.

Takimin e parë ministrja Kusari-Lila e zhvilloi me drejtorin e Agjencisë Federale të Gjermanisë për Tregti të Jashtme dhe Investime, Achim Hartig, i cili aktualisht është edhe bashkëkryesues i organizatave për tregti dhe investime pranë vendeve të OECD-së. Gjatë takimit u diskutua për zgjerimin e bashkëpunimit me rrjetin e agjencive evropiane për promovimin e investimeve, si dhe për mundësitë e përfshirjes së kompanive kosovare në zinxhirët evropianë të furnizimit.

Gjatë qëndrimit në Frankfurt, ministrja zhvilloi gjithashtu biseda me përfaqësues të bizneseve të sektorit industrial që po shqyrtojnë mundësitë për zgjerimin e veprimtarisë së tyre. Në këto takime u prezantuan përparësitë që ofron Kosova për investitorët, përfshirë fuqinë punëtore të kualifikuar, kostot konkurruese dhe afërsinë gjeografike me Gjermaninë dhe tregjet e Bashkimit Evropian.

Kusari-Lila ka theksuar se rritja e interesimit të kompanive gjermane dhe evropiane për zhvendosjen ose zgjerimin e kapaciteteve të tyre prodhuese dhe përpunuese paraqet një mundësi për ekonominë e Kosovës, veçanërisht për zhvillimin e sektorit të prodhimit.

Takimet në Frankfurt ishin vazhdimësi e prezantimit të potencialit investues të Kosovës në konferencën IME 2026, me synimin që kontaktet e krijuara dhe mundësitë e identifikuara të shndërrohen në investime konkrete dhe vende të reja pune në vend.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors