Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka marrë pjesë në takimin ministror të mbajtur në Tiranë, në kuadër të Samitit të Liderëve për Planin e Rritjes, me organizim të Ministrisë së Ekonomisë së Shqipërisë.
Në fokus të takimit ishte Autostrada e Tregut të Përbashkët (Single Market Highway), ndërsa diskutimet u përqendruan në transformimin industrial dhe rritjen e kapaciteteve konkurruese të ekonomive të vendeve të rajonit. Në takim morën pjesë edhe drejtoresha e përgjithshme e DG GROW në Komisionin Evropian, Kerstin Jorna, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit e Shqipërisë, Delina Ibrahimaj, zëvendëskryeministri dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik i Malit të Zi, Nik Gjeloshaj, si dhe ministri i Ekonomisë dhe Punës i Maqedonisë së Veriut, Besar Durmishi.
Gjatë diskutimit, ministrja Kusari-Lila prezantoi potencialin e prodhuesve kosovarë në sektorë si përpunimi i metaleve, materialet e ndërtimit, ndërtimet e parafabrikuara, përpunimi i drurit, plastika dhe produktet elektrike. Ajo theksoi se kompanitë e këtyre sektorëve po rrisin eksportet dhe po integrohen gjithnjë e më shumë në zinxhirët evropianë të vlerës.
Një çështje tjetër e rëndësishme ishte përafrimi i legjislacionit me standardet e Bashkimit Evropian dhe ndërtimi i kapaciteteve institucionale e teknike për testim, certifikim dhe akreditim. Në këtë kontekst, ministrja Kusari-Lila theksoi rëndësinë e Marrëveshjes për Vlerësimin e Konformitetit dhe Pranimin e Produkteve Industriale (ACAA), si instrument për lehtësimin e tregtisë dhe eliminimin e barrierave teknike.
Ministrja gjithashtu kërkoi eliminimin e pengesave që cenojnë pjesëmarrjen e Kosovës si vend i barabartë në nismat rajonale, veçanërisht ato të Komisionit Evropian dhe institucioneve të tjera të Bashkimit Evropian, duke vënë në pah se pjesëmarrja e barabartë është kusht për bashkëpunim gjithëpërfshirës.
Kusari-Lila theksoi se integrimi evropian duhet të sjellë rezultate konkrete për bizneset, përmes udhërrëfyesve sektorialë, instrumenteve financiare për modernizim teknologjik, digjitalizim dhe efiçiencë të energjisë, zhvillimit të aftësive të fuqisë punëtore dhe krijimit të lidhjeve të drejtpërdrejta ndërmjet prodhuesve kosovarë dhe kompanive evropiane.


