Ministrja Kusari-Lila mori pjesë në Ditën e Biznesit Holandez në Prishtinë, në fokus bashkëpunimi ekonomik dhe investimet

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, mori pjesë në Ditën e Biznesit Holandez (Dutch Business Day), të organizuar në Prishtinë, ku u bashkuan përfaqësues të bizneseve kosovare dhe holandeze.

Ky ishte takimi i dytë i këtij viti që bashkoi komunitetet e biznesit të të dyja vendeve. Në prill, ishte organizuar Dita e Biznesit Kosovar në Hagë, ndërsa kësaj radhe takimi u mbajt në Prishtinë, në prani të ambasadores së Holandës në Kosovë, Astrid de Vries, dhe përfaqësuesve të komunitetit të biznesit nga të dyja vendet.

Nën moderimin e Artan Djemajlit nga Business Match Kosovo dhe Emrush Ujkanit nga Këshilli i Investitorëve Evropianë, si dhe përmes panelit me Visar Peranin nga IFC / Grupi i Bankës Botërore, Mentor Pllanën nga Pllana Ventures dhe Gresa Rexhepin nga PwC Kosovo, u diskutua për mundësitë dhe përparësitë e të bërit biznes në Kosovë.

Ministrja Kusari-Lila theksoi se Kosova dhe Holanda kanë ndërtuar marrëdhënie shumë të mira, ndërsa shprehu synimin që ky partneritet të fuqizohet edhe më tej përmes bashkëpunimit ekonomik dhe investimeve.

Aktualisht, në Kosovë janë të regjistruara 210 biznese me pronësi tërësisht ose pjesërisht holandeze. Ndërkohë, eksportet e Kosovës drejt Holandës janë rritur për 13 për qind, duke arritur vlerën prej 24.7 milionë eurosh vetëm në nëntëmujorin e parë të këtij viti.

Sektorët e TIK-ut, shërbimet profesionale, industria e ndërtimit dhe industritë e tjera të lehta janë fusha ku tashmë operojnë kompani nga të dyja vendet dhe ku ekziston potencial për rritje të mëtejshme.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors