Ministrja Kusari-Lila në Forumin Ekonomik Gjermano-Kosovar: Kosova ka potencial për rritjen e prodhimit dhe investimeve

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, mori pjesë në panelin e organizuar nga Banka Botërore dhe Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC), me rastin e prezantimit të raportit “Country Private Sector Diagnostic (CPSD)”, në kuadër të Forumit të 3-të Ekonomik Gjermano-Kosovar.

Në panel, ministrja Kusari-Lila diskutoi për potencialin e sektorit privat në Kosovë së bashku me Getoar Mjekun nga Ministria e Ekonomisë, Besnik Vasollin nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare dhe Guri Shkodrën nga NOTUS Energy.

Gjatë diskutimit, ajo theksoi se Kosova ka shënuar përparim në sektorin e shërbimeve dhe ka potencial për zhvillimin e mëtejshëm të prodhimit vendor. Sipas saj, sfida kryesore mbetet shndërrimi i këtij potenciali në investime të reja, produkte konkurruese dhe vende pune.

Ministrja Kusari-Lila vuri në pah rëndësinë e gjetjeve dhe rekomandimeve të raportit për përmirësimin e politikave, kornizës ligjore dhe rregullative, si dhe për adresimin e pengesave që vazhdojnë të kufizojnë zhvillimin e bizneseve në Kosovë.

Ajo tha se rekomandimet e raportit përputhen me drejtimet e Strategjisë për Zhvillimin Industrial dhe Mbështetjen e Biznesit 2030 dhe me angazhimet e MINTI-t për zhvillimin e parqeve eko-industriale, rritjen e prodhimit dhe eksporteve vendore, mbështetjen e inovacionit dhe ndërmarrjeve të reja, fuqizimin e grave në biznes dhe thjeshtimin e procedurave për investitorët.

Në përmbyllje, ministrja theksoi potencialin e Kosovës për të rritur prodhimin, për të tërhequr investime të reja dhe për të krijuar vende pune. Ajo falënderoi Bankën Botërore dhe IFC-në për punën në përgatitjen e raportit, si dhe Odën Ekonomike Gjermano-Kosovare për mundësinë e diskutimit.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors