Ministrja Mimoza Kusari-Lila priti në takim kryetarin e Komunës së Troisdorfit, Alexander Biber dhe drejtorin menaxhues të TROWISTA-s, Alexander Miller

Ministrja e Ministrisë së Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), Mimoza Kusari-Lila, ka pritur në takim kryetarin e Komunës së Troisdorfit, Alexander Biber dhe drejtorin menaxhues të TROWISTA-s, Alexander Miller, të shoqëruar nga konsulli Behar Isma.

Me këtë rast, ministrja ka theksuar se ka momente në historinë e Kosovës që nuk harrohen, sepse pas tyre qëndrojnë njerëz që, në ditët më të vështira për vendin tonë, na qëndruan pranë dhe na ndihmuan të ringriheshim.

Sipas saj, një lidhje e tillë e veçantë na bashkon me Troisdorfin, ku përmes punës humanitare të Rupert Neudeck dhe organizatës Cap Anamur u ndihmuan mijëra familje të rindërtonin shtëpitë e tyre dhe shumë shkolla të hapnin sërish dyert për fëmijët tanë.

Ministrja ka bërë të ditur se në takim kanë diskutuar për mundësitë e lidhjes së bizneseve të Troisdorfit me kompanitë kosovare, veçanërisht në sektorin e plastikës dhe prodhimin e makinerive përkatëse, ku sektori i plastikës është ndër katër sektorët me potencial të lartë për prodhim dhe eksport në Kosovë, duke krijuar mundësi për partneritete të reja me kompanitë gjermane.

Ministrja ka përmendur edhe një fushë tjetër me interes të veçantë që është arsimi dhe aftësimi profesional dual.

Ajo e potencoi se Akademia e Trajnimit për Industrinë e Plastikës në rajonin e Troisdorfit mund të jetë një partner i vlefshëm për trajnimin dhe specializimit të të rinjve tanë në Gjermani, si dhe përshtatjes së programeve të trajnimit për zbatim në Kosovë.

Në këtë takim është biseduar edhe për mundësinë e organizimit të një aktiviteti për prezantimin e potencialit investues të Kosovës dhe lidhjen e bizneseve të të dyja vendeve, si dhe për organizimin e një vizite të delegacionit të bizneseve kosovare në Troisdorf gjatë vitit të ardhshëm, me synim krijimin e partneriteteve dhe mundësive për investime e shkëmbime tregtare.

Kusari-Lila ka vlerësuar se takimet si ky i japin edhe më shumë peshë Forumit Ekonomik Gjermani-Kosovë, që po mbahet këto ditë në Kosovë, dhe ndihmojnë në thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors