Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, mori pjesë në aktivitetin me rastin e 4-vjetorit të themelimit të rrjetit Women in Energy and Mining (WEM), që u mbajt në ambientet e AmCham Kosova
Në këtë panel, që u moderuar nga Shqipe Vela- kryesuese e rrjetit, morën pjesë: e Ngarkuara me Punë të SHBA-së, Annu Prattipati, Zëvendësshefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Eva Palatova, Drejtori i ri i zgjedhur i KOSTT, Trim Tërnava, si dhe Drejtori i AmCham Kosova, Arian Zeka.
Pjesëmarrësit patën një bashkëbisedim të hapur dhe shumë të nevojshëm për të ardhmen e sektorit.
Në fjalën e saj, ministrja Mimoza Kusari-Lila theksoi se tranzicioni energjetik dhe zhvillimi i qëndrueshëm nuk mund të arrihen pa përfshirjen e plotë të grave, jo vetëm si pjesëmarrëse, por edhe si vendimmarrëse dhe lidere në proceset transformuese. Energjia dhe minierat nuk janë sektorë “tradicionalisht mashkullorë”, janë sektorë strategjikë, dhe strategjia kërkon gjithëpërfshirje.
Ministrja Kusari-Lila , gjithashtu i informoi të pranishmit për projektet që po i zhvillohen në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, me fokus në industrinë vendore, inovacionin dhe ekonominë qarkore si bazë për rritje të qëndrueshme.
Ajo shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë me gratë dhe vajzat e sektorit dhe i ftoi profesionistët që të angazhohen drejtpërdrejt me ministrinë që e drejton. Ministrja iu premtoi të pranishmëve se dyert janë të hapura për ide konkrete dhe partneritete që sjellin ndryshim real.
Në fund të fjalimit, ministrja Kusari-Lila e uroi rrjetin: “Urime WEM për 4 vite punë të jashtëzakonshme, rruga vazhdon, dhe duhet ta bëjmë bashkë!”





