Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Republikës së Kosovës është marrë vendim për nxjerrjen nga administrimi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit të ish-ndërmarrjeve “Metaliku” dhe “Virxhinia”, në Komunën e Gjakovës, si dhe transferimin e tyre tek Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI).
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka theksuar se ky vendim hap rrugën për krijimin e Zonës Industriale në Gjakovë, një projekt që është diskutuar për më shumë se një dekadë.
Sipas saj, me këtë hap po finalizohet një proces i gjatë institucional që synon shfrytëzimin e hapësirave ekzistuese për zhvillim industrial dhe krijimin e kushteve për investime të reja.
Ajo ka theksuar se brenda 100 ditëve të para të Qeverisë janë miratuar vendime të rëndësishme për dy komuna me potencial të madh industrial, Gjakovën dhe Gjilanin.
“Jam jashtëzakonisht e lumtur që, brenda 100 ditëve të para të Qeverisë, arritëm të kemi vendime të miratuara për Gjakovën dhe Gjilanin-dy komuna me potencial të madh për zhvillim industrial, kapacitete të reja prodhuese dhe qasje në tregje të reja rajonale dhe evropiane”, ka deklaruar Kusari-Lila.
Sipas saj, këto vendime janë pjesë e një qasjeje më të gjerë për zhvillim ekonomik dhe rritje të mirëqenies së qytetarëve në gjithë vendin.