MINTI shënoi Ditën Botërore të Akreditimit, theksohet rëndësia e infrastrukturës së cilësisë për zhvillimin ekonomik

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit shënoi sot Ditën Botërore të Akreditimit, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve institucionalë, partnerëve vendorë dhe ndërkombëtarë, si dhe akterëve të sektorit të cilësisë.

Me këtë rast, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, së bashku me Boguslaw Gertruda, Udhëheqës i Sektorit për Çështje Politike, Ekonomike dhe Integrim në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, drejtorin e Drejtorisë së Akreditimit të Kosovës, Irfan Lipovica, dhe partnerë të tjerë, ritheksuan rëndësinë e ndërtimit të një infrastrukture të fortë të cilësisë, të bazuar në standardet dhe praktikat më të mira evropiane.

Gjatë aktivitetit u theksua se akreditimi, standardizimi, metrologjia dhe mbikëqyrja e tregut përbëjnë shtyllat kryesore që garantojnë cilësi, siguri dhe besueshmëri në produktet, shërbimet dhe institucionet e vendit.

Ministrja Kusari-Lila vlerësoi se ngritja dhe fuqizimi i infrastrukturës së cilësisë ka rëndësi të veçantë për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe lidhet drejtpërdrejt me objektivat për rritjen e eksporteve, forcimin e konkurrueshmërisë së bizneseve vendore dhe zvogëlimin e varësisë nga importi.

Sipas saj, rritja e besueshmërisë së produkteve dhe shërbimeve vendore krijon mundësi më të mëdha për qasje në tregje të reja, zgjeron aktivitetin tregtar dhe kontribuon në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.

MINTI mbetet e përkushtuar për forcimin e kapaciteteve institucionale në fushën e akreditimit, standardizimit dhe metrologjisë, përafrimin e legjislacionit me atë të Bashkimit Evropian dhe avancimin e reformave që rrisin efikasitetin, transparencën dhe mbështetjen për sektorin privat.

Në përmbyllje u theksua se Dita Botërore e Akreditimit shërben si rikujtesë për rëndësinë e cilësisë, besueshmërisë dhe kompetencës profesionale, si elemente themelore për zhvillimin ekonomik, mbrojtjen e konsumatorit dhe forcimin e besimit në produktet dhe shërbimet e Kosovës.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors