Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka zhvilluar një takim me udhëheqësit e kompanisë amerikane Dardania Capital dhe partnerët e saj nga NVIDIA dhe Hercules Capital, Albion Calaj, Jim Chapman, Francesco Torricelli, Jon Kondo, Roy Liu, Mira Pogaci dhe Faton Gjuka.
Gjatë takimit u diskutua për planet e kompanisë lidhur me realizimin e projektit strategjik për ndërtimin e AI Factory në Kosovë, një qendër moderne e të dhënave e pajisur me teknologjinë më të avancuar të inteligjencës artificiale. Projekti parasheh një kapacitet prej 1.2 GW, duke synuar të jetë i pari i këtij lloji në rajon dhe në Evropën Qendrore.
Ministrja Kusari-Lila theksoi se ky investim është në përputhje me prioritetet strategjike të Qeverisë së Kosovës për digjitalizimin, inovacionin dhe zhvillimin ekonomik, duke krijuar bazë për avancimin e ekonomisë së dijes dhe teknologjisë.
Në takim u vlerësua gjithashtu rëndësia e ndërlidhjes së kësaj infrastrukture me universitetet, institucionet kërkimore dhe bizneset vendore, me qëllim forcimin e kapaciteteve për kërkim shkencor dhe zhvillim (R&D), si dhe ndërtimin e një ekosistemi të qëndrueshëm të inovacionit në vend.
Sipas ministres Kusari-Lila, realizimi i këtij projekti pritet të krijojë vende të reja pune, të rrisë kapacitetet teknologjike të vendit dhe ta forcojë pozitën e Kosovës si një destinacion të sigurt, të qëndrueshëm dhe konkurrues për investime strategjike të huaja.