Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, vizitoi fabrikën MUNDA Kosova në Obiliq, e specializuar në prodhimin e komponentëve të tekstilit për industrinë automobilistike, e cila është pjesë e zinxhirit furnizues të markave të njohura ndërkombëtare, përfshirë Audi.
Gjatë vizitës, ministrja u prit nga drejtori i fabrikës, Kushtrim Grainca, me të cilin diskutoi për procesin e prodhimit, zhvillimin e kompanisë dhe kontributin e saj në fuqizimin e industrisë prodhuese në Kosovë. Ajo u njoh nga afër edhe me punën dhe angazhimin e stafit që çdo ditë kontribuon në prodhimin e komponentëve për industrinë automobilistike.
Kusari-Lila vlerësoi MUNDA Kosova si një shembull të suksesshëm të investimeve të huaja strategjike në vend. E themeluar në vitin 2023 si ndërmarrje e përbashkët e kompanive gjermane AUNDE dhe MENTOR, fabrika ka realizuar një investim prej rreth 7 milionë eurosh dhe aktualisht punëson mbi 280 persona, më shumë se 70 për qind prej tyre gra.
Ministrja theksoi se investime të tilla dëshmojnë potencialin e Kosovës për zhvillimin e prodhimit me vlerë të shtuar, krijimin e vendeve cilësore të punës dhe fuqizimin e rolit të grave në sektorin prodhues. Ajo shtoi se kapitali njerëzor mbetet një nga asetet më të rëndësishme të vendit dhe se suksese të tilla forcojnë partneritetin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.
Me këtë rast, Kusari-Lila ritheksoi se zhvillimi i klasterëve industrialë dhe zonave të lira ekonomike mbetet një nga prioritetet e MINTI-t, me synimin për të krijuar kushte më të favorshme për investime, për të rritur konkurrueshmërinë e ndërmarrjeve, për të nxitur inovacionin dhe për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Kosovës.