Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, mori pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Irlandës në Kosovë dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, me rastin e marrjes së Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian nga Irlanda.
Me këtë rast, ministrja Kusari-Lila vlerësoi marrëdhëniet e mira ndërmjet Kosovës dhe Irlandës, të ndërtuara mbi vlerat e përbashkëta të demokracisë, paqes dhe bashkëpunimit. Ajo theksoi se Irlanda ka qenë një mbështetëse e rëndësishme e Kosovës që nga fillimi i pavarësisë së saj, si dhe e perspektivës evropiane të vendit.
Ministrja Kusari-Lila ritheksoi se rruga e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian mbetet një prioritet strategjik, ndërsa mbështetja dhe angazhimi i shteteve mike, si Irlanda, kanë rëndësi të veçantë për avancimin e këtij procesi.
Ajo shprehu gjithashtu pritjen që presidenca irlandeze e Këshillit të Bashkimit Evropian të sjellë një shtysë të re për procesin e zgjerimit, duke ndjekur një qasje të drejtë dhe të bazuar në meritë për Kosovën.


