Zëvendësministri i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Jeton Mehmeti, ka marrë pjesë në ceremoninë e dorëzimit të certifikatës së parë të origjinës me standarde ndërkombëtare për një produkt të prodhuar në Kosovë.
Pas pranimit të Odës Ekonomike të Kosovës në Rrjetin Ndërkombëtar të Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë (ICC) dhe akreditimit të saj në qershor të vitit 2026 për lëshimin e Certifikatave të Origjinës, sot është lëshuar certifikata e parë me standarde ndërkombëtare për kompaninë FLUIDI Group, për vajin e lulediellit.
Certifikata e origjinës përfaqëson më shumë se një dokument që shoqëron një produkt. Ajo dëshmon identitetin dhe origjinën e produktit, si dhe standardet dhe cilësinë e punës së prodhuesve vendorë. Njëkohësisht, përbën një hap konkret drejt rritjes së besueshmërisë së produkteve të Kosovës, zgjerimit të eksporteve dhe forcimit të pranisë së tyre në tregjet globale.
Në këtë proces, diaspora vazhdon të mbetet një urë e rëndësishme lidhëse e Kosovës me tregjet ndërkombëtare dhe një partner i rëndësishëm për investime, eksporte dhe zhvillim ekonomik. Përmes lidhjeve të saj me bizneset dhe tregjet e huaja, diaspora mund të luajë rol të rëndësishëm në krijimin e partneriteteve të reja dhe në hapjen e mundësive për prodhuesit kosovarë.
Lëshimi i certifikatës së parë të origjinës me standarde ndërkombëtare për një produkt vendor paraqet kështu një hap të rëndësishëm në procesin e ndërkombëtarizimit të prodhimit kosovar dhe në promovimin e identitetit “Made in Kosova”, si shenjë e cilësisë, besueshmërisë dhe potencialit të produkteve vendore.


