Ministrja Kusari-Lila takoi përfaqësues të kompanive belge dhe amerikane, diskutojnë mundësitë për investime në Kosovë

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, zhvilloi sot takime me përfaqësues të dy kompanive me veprimtari në fusha të ndryshme, të cilat Kosovën e shohin si vend me mundësi për investime dhe zhvillim të projekteve të reja.

Në takimin e parë, ministrja Kusari-Lila priti përfaqësuesit e kompanisë belge SettleMint, bashkëthemeluesin dhe drejtorin Matthew Van Niekerk dhe Ian Bevers, së bashku me partnerin lokal Gjikolli & Partners LLC, të përfaqësuar nga Lum Gjikolli.

Gjatë takimit u prezantua një nismë inovative në fushën e tokenizimit, e cila synon të krijojë mundësi të reja për mobilizimin e kapitalit dhe tërheqjen e investimeve të huaja direkte në Kosovë. Në këtë drejtim, u diskutua për identifikimin e fushave konkrete me interes për zhvillimin ekonomik të vendit.

Në takim morën pjesë edhe zëvendësministri i Mbrojtjes, Gegë Lleshi, si dhe Diar Beqaj, me të cilët u diskutua për mundësitë që ofrojnë teknologjitë dhe modelet e reja financiare për zhvillimin e ekonomisë dhe tërheqjen e kapitalit të ri.

Gjatë ditës, ministrja Kusari-Lila zhvilloi takim edhe me çiftin Bailey dhe Visar Grajçevci, me të cilët diskutoi për projekte konkrete në fushën e turizmit dhe shërbimeve të mirëqenies. Biseda u fokusua në mundësitë për zhvillimin e ofertës turistike malore të Kosovës dhe krijimin e një oferte që mund të jetë atraktive gjatë gjithë vitit.

Në këtë drejtim, u vlerësua se përvoja ndërkombëtare dhe modeli amerikan i të bërit biznes mund të sjellin qasje të reja në zhvillimin e turizmit malor dhe shërbimeve të mirëqenies në Kosovë.

Kosova, ndonëse një vend me territor të vogël, ka potencial të madh për zhvillim në sektorë të ndryshëm. Për këtë arsye, lidhja e këtij potenciali me njerëzit, teknologjinë dhe kapitalin është e rëndësishme për krijimin e investimeve të qëndrueshme dhe zhvillimin ekonomik.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit mbetet e përkushtuar për krijimin e kushteve për investime serioze, në përputhje me ligjin dhe procedurat në fuqi, me synim forcimin e konkurrueshmërisë, inovacionit dhe zhvillimin e një oferte turistike që e bën Kosovën më të vizitueshme gjatë gjithë vitit.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors