Në kuadër të Konferencës së XV për Ekonominë 2026, në Mal të Zi, u nënshkrua sot Marrëveshja e Mirëkuptimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe partnerëve të Parqeve Industriale nga Bashkimi Evropian.
Në emër të Kosovës, marrëveshjen e nënshkroi u.d. Drejtoresha e APINK-së, Zana Kotorri, ndërsa përfituese nga kjo marrëveshje është Parku Industrial në Suharekë.
Marrëveshja synon krijimin e një kornize të përbashkët bashkëpunimi ndërmjet Parqeve Industriale të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të Bashkimit Evropian, duke krijuar mundësi të reja për zhvillimin e bizneseve dhe integrimin e tyre në tregjet evropiane, me qëllim të forcimin e lidhjeve dhe bashkëpunimit ndërmjet bizneseve; integrimin e ndërmarrjeve në zinxhirët e furnizimit dhe zinxhirët e vlerës evropiane; krijimin e mundësive për investime dhe partneritete të reja; shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira për zhvillimin e Parqeve Industriale dhe Eko-Industriale; forcimin e kapaciteteve të menaxhimit dhe qeverisjes së parqeve industriale dhe zhvillimin e aftësive dhe kompetencave të fuqisë punëtore, në përputhje me kërkesat e tranzicionit industrial, të gjelbër dhe digjital.
Për Kosovën, kjo marrëveshje paraqet një mundësi të rëndësishme për ndërkombëtarizimin e Parkut Industrial në Suharekë, rritjen e bashkëpunimit me parqet industriale të Bashkimit Evropian dhe krijimin e mundësive të reja për ndërmarrjet vendore për t’u integruar në zinxhirët evropianë të furnizimit dhe vlerës.
Marrëveshja kontribuon gjithashtu në avancimin e qasjes së Kosovës drejt zhvillimit të parqeve industriale më konkurruese, të gjelbra dhe të integruara në ekonominë evropiane.

