Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka marrë pjesë në raundin e parë të “Diplomatic Circle” në Berlin, një platformë e re për shkëmbim dhe rrjetizim ndërmjet përfaqësuesve të diplomacisë dhe biznesit, me ftesë të Prof. Atil Ural nga Business Factors.
Në këtë aktivitet, ku morën pjesë edhe Ministrja Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Reem Alabali-Radovan, Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, si dhe përfaqësues diplomatikë dhe të biznesit, ministrja Kusari-Lila prezantoi potencialin e Kosovës, mundësitë për investime dhe hapësirat për thellimin e bashkëpunimit ekonomik me Gjermaninë dhe Evropën. Ajo theksoi se ishte ministrja e parë nga jashtë Gjermanisë e ftuar në këtë format.
Me ministren federale gjermane, ministrja Kusari-Lila diskutoi për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik në fusha të reja, si dhe për mundësitë e krijimit të incentivave për kompanitë gjermane që synojnë të investojnë në vendet e Evropës Juglindore dhe në Kosovë.
Takimi në Berlin vjen pas një viti të angazhimit të MINTI-t për forcimin e bashkëpunimit ekonomik me Gjermaninë. Në maj, në Bensberg, nën patronatin e Kryeministrit Albin Kurti, u mbajt Forumi i parë “Future Industry Minds”, me pjesëmarrjen e kompanive gjermane dhe kosovare. Ndërkohë, MINTI ka mbështetur pjesëmarrjen e bizneseve kosovare në panairet ndërkombëtare ITB Berlin, Light + Building në Frankfurt, ProWein në Düsseldorf dhe Hannover Messe, duke krijuar kontakte të reja dhe mundësi për eksport, investime dhe integrim në zinxhirët evropianë të vlerës.
Angazhimi për forcimin e partneritetit me Gjermaninë dhe kompanitë gjermane do të vazhdojë edhe në Prishtinë. Më 28–29 tetor, nën organizimin e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare dhe me mbështetjen e Qeverisë, do të mbahet konferenca për transformimin digjital dhe inteligjencën artificiale, energjinë dhe infrastrukturën e qëndrueshme, si dhe prodhimin e avancuar.
Gjermania mbetet një partner i rëndësishëm ekonomik për Kosovën, ndërsa qëllimi i bashkëpunimit është zgjerimi i prodhimit në Kosovë, rritja e eksporteve, tërheqja e investimeve gjermane dhe përfshirja e më shumë kompanive kosovare në tregjet dhe zinxhirët evropianë të vlerës.


