Arbitrazhi dhe klima e investimeve, ministrja Kusari-Lila prezanton reformat e MINTI-t

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka marrë pjesë në një diskutim të organizuar nga Oda Ndërkombëtare e Tregtisë në Prishtinë, kushtuar zhvillimeve aktuale në arbitrazhin ndërkombëtar, ku morën pjesë profesionistë të drejtësisë dhe përfaqësues të bizneseve.

Kusari-Lila theksoi se arbitrazhi përbën një element të rëndësishëm të sigurisë juridike dhe klimës së investimeve, duke e ndërlidhur këtë edhe me përvojën e saj të drejtpërdrejtë në një proces ndërkombëtar arbitrazhi, në të cilin Republika e Kosovës doli fituese.

Sipas saj, MINTI po punon për forcimin e sigurisë juridike përmes një kuadri ligjor dhe institucional më të qartë dhe funksional. Ligji për Arbitrazhin përcakton rregullat bazë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve përmes procedurave të arbitrazhit, si dhe për njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve të arbitrazhit, ndërsa Ligji për Investime të Qëndrueshme përcakton të drejtat dhe detyrimet e institucioneve, autoriteteve publike dhe investitorëve lidhur me investimet në Republikën e Kosovës.

Në kuadër të reformave institucionale, ministrja bëri të ditur se po punohet edhe për zbatimin e Ligjit të ri për Shoqëritë Tregtare dhe reformimin e Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve, me synim që bizneset të kenë shërbime më efikase, të qarta dhe të parashikueshme.

Në diskutim u veçua edhe hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë Kosovë–EFTA, më 1 tetor, e cila krijon mundësi të reja për tregtinë e mallrave dhe shërbimeve me Zvicrën, Norvegjinë, Islandën dhe Lihtenshtajnin. Po ashtu, në kuadër të CEFTA-s, ratifikimi i Protokolleve Shtesë 5, 6 dhe 7 kontribuon në lehtësimin e tregtisë, zhvillimin e tregtisë në shërbime dhe forcimin e mekanizmave për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Këto masa synojnë krijimin e një mjedisi më të sigurt dhe të parashikueshëm për bizneset dhe investitorët, duke lehtësuar hyrjen në treg, zhvillimin e veprimtarisë dhe zgjerimin e bashkëpunimit me tregjet ndërkombëtare.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors