Agjencia për Pronësi Industriale (API), në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, gjatë periudhës janar–shtator 2026 ka nxjerrë 1.747 vendime për regjistrimin e markave tregtare, duke shënuar rritje prej 29,22% krahasuar me shifrën e raportuar për vitin 2025. Gjatë kësaj periudhe janë realizuar edhe 1.794 ekzaminime të suksesshme në baza absolute, me rritje prej 8,86%, si dhe janë regjistruar 20 dizajne industriale dhe është nxjerrë një vendim për dhënien e patentës.
Përmirësimi i procedurave është reflektuar edhe në kohën e regjistrimit. Për markën M-37968, procedura e plotë është përfunduar brenda 226 ditësh, apo rreth 7 muajsh, duke përfshirë periudhën ligjore tremujore për kundërshtim. Ky është afati më i shkurtër i arritur deri më tani dhe është 116 ditë, ose rreth 34%, më i shkurtër se rasti krahasues i vitit 2024.
Në pranimin e aplikimeve, API ka evidentuar 1.773 aplikime për marka tregtare, prej të cilave 682 vendore. Krahasuar me të dhënat e vitit 2025, aplikimet për marka janë rritur për 5,54%, ndërsa ato vendore për 7,57%. Së bashku me 46 aplikime për dizajne industriale dhe 14 për patenta, numri i përgjithshëm arrin në 1.833 aplikime.
Një zhvillim i rëndësishëm është modernizimi i shërbimeve përmes kalimit në IPAS 4.0, lansimit të webfaqes së re zyrtare dhe funksionalizimit të Regjistrit Elektronik përmes WIPO Publish, me 45.858 të dhëna të qasshme për kërkim publik. Këto zhvillime lehtësojnë qasjen në informacion dhe krijojnë bazën teknike për aplikimin online dhe integrimin me e-Kosova.
Në bashkëpunimin ndërkombëtar, API ka nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi me Zyrën Austriake të Patentave, që mundëson kërkime dhe opinione profesionale për vlerësimin e patentueshmërisë së shpikjeve, si dhe trajnime për stafin. Agjencia është gjithashtu partnere aktive në projektin EU4IP për periudhën 2026–2028, ndërsa ka avancuar konsultimet për Programin Swiss PartnershIP – Kosovë.
Gjatë periudhës raportuese janë publikuar 9 Buletine Zyrtare me 5.104 objekte të pronësisë industriale. Të hyrat e Agjencisë kanë arritur në 291.425,27 euro, ose 4,67% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Në promovimin e pronësisë intelektuale, API ka zhvilluar aktivitete edukative dhe informuese me të rinjtë, studentët, startup-et dhe bizneset, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, Zyrën për të Drejtat e Autorit, STIKK dhe VentureUP. Aktivitetet në shkolla, institucione të arsimit të lartë, BONEVET dhe Tech Park Prishtina kanë trajtuar mbrojtjen e ideve dhe inovacionit, regjistrimin e markave tregtare dhe luftimin e produkteve të falsifikuara. Përmes forumeve dhe takimeve rajonale me bizneset, Agjencia ka nxitur mbrojtjen e identitetit të tyre dhe shfrytëzimin e të drejtave të pronësisë industriale.
API do të vazhdojë angazhimin për procedura më efikase, shërbime më të qasshme dhe mbështetje më të mirë për bizneset, inovatorët dhe shpikësit në Kosovë.