Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka marrë pjesë në edicionin e dytë të Western Balkans Circular Economy Expo 2026, ku është diskutuar roli i ekonomisë qarkore në transformimin industrial, tranzicionin e gjelbër dhe krijimin e mundësive të reja për bizneset.
Në këtë aktivitet, së bashku me ministren Fitore Pacolli, ambasadoren e Suedisë në Kosovë, Åsa Pehrson, si dhe përfaqësues të institucioneve, bizneseve, akademisë dhe organizatave zhvillimore nga Kosova dhe rajoni, u shkëmbyen perspektiva mbi mundësitë që ofron ekonomia qarkore për zhvillimin e industrisë dhe rritjen e konkurrueshmërisë së bizneseve.
Ministrja Kusari-Lila theksoi se Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, përmes Strategjisë për Zhvillim Industrial dhe Mbështetje të Biznesit 2030, po punon për zhvillimin e një industrie më moderne, me kapacitete më të mëdha prodhuese dhe produkte me vlerë më të lartë të shtuar.
Në këtë drejtim, parqet industriale dhe zhvillimi i eko-parqeve krijojnë kushte për tërheqjen e investimeve, bashkëpunimin ndërmjet bizneseve dhe shfrytëzimin më efikas të burimeve. Këto zhvillime synojnë të mbështesin inovacionin dhe të ndihmojnë bizneset vendore të rrisin praninë e tyre në tregjet evropiane.
Sipas ministres Kusari-Lila, synimi është që industria e Kosovës të krijojë më shumë vlerë brenda vendit dhe ta lidhë rritjen ekonomike me mbrojtjen e mjedisit. Përmes zhvillimit të parqeve industriale dhe zbatimit të parimeve të ekonomisë qarkore, MINTI synon të krijojë më shumë mundësi për investime dhe inovacion, duke kontribuar në ndërtimin e një ekonomie më konkurruese dhe më të qëndrueshme.


