Ekzistojnë tri lloje të licencave të disponueshme për tregtimin me mallra strategjike ose për ofrimin e shërbimeve të ndërlidhura:
Licencë individuale – autorizimi i një eksportuesi të caktuar, importuesi, ri-eksportuesi, ri-transferuesi, personi që kryen transitin, trans-ngarkimin ose shërbime të ndërlidhura, që të kryej aktivitetet e përmendura në Ligjin për tregtinë me mallra strategjike, përkitazi me një përdorues të fundit, një pranues të dërgesës ose një shitës në shtetin e huaj dhe për një ose më shumë mallra strategjike.
Licencë globale – autorizimi i dhënë eksportuesit të caktuar për një lloj ose kategori të mallrave strategjike, i cili mund të vlejë për eksportim te një ose më shumë përdorues të fundit të përcaktuar dhe/ose te një ose më shumë shtete të huaja.
Mbani mend Ministria mundet, rast pas rasti, ta kërkojë themelimin e programit të brendshëm të pajtueshmërisë (ICP) si parakusht për lëshimin e licencës globale. Luteni që ta shikoni Pajtueshmërinë e Industrisë me Kontrollin e Tregtisë Strategjike për më shumë informata.
Licencë e përgjithshme – autorizimi për importim, eksportim, transit ose trans-ngarkim të mallrave strategjike të përcaktuara ose të shërbimeve të ndërlidhura e të përcaktuara nën kushtet dhe në shtetet e destinacionit të specifikuara në licencën e përgjithshme.
Për ta marrë licencën individuale ose globale, ju duhet ta parashtroni aplikacionin pranë Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.
Ministria do t’i publikojë licencat e përgjithshme në këtë uebfaqe pasi që të bëhen të disponueshme. Përdorimi i licencës së përgjithshme nuk kërkon aplikim për licencë. Për ta përdorur një licencë të përgjithshme, duhet të regjistroheni në Ministri si përdorues i licencës së përgjithshme të caktuar. Nuk ka licenca të përgjithshme të disponueshme në këtë kohë.
Licenca e përgjithshme nuk mund të përdoret atëherë kur Ministria e ka informuar eksportuesin apo importuesin, personin që kryen transitin, trans-ngarkimin ose ofruesin e shërbimeve të ndërlidhura se mallrat në fjalë kanë për qëllim apo mund të përdoren, tërësisht apo pjesërisht, për ndonjë qëllim që ndërlidhet me ASHM ose përdorim të fundit ushtarak në ndonjë destinacion nën embargo, ose kur përdoruesi i licencës është i vetëdijshëm se mallrat janë të synuara për atë qëllim.