PARIMET BAZË TË REFORMAVE TË TË BËRIT BIZNES
Bazë e metodologjisë së Të Bërit Biznes janë 5 parimet kryesore të qeverisjes. Ndërsa këto parime janë të nënkuptuara në supozimet e Të Bërit Biznes, për të realizuar plotësisht përfitimet nga axhenda e reformave në Të Bërit Biznes, këto parime duhet të zbatohen jo vetëm në procesin e reformave të Të Bërit Biznes, por në të gjitha vendimet e politikave në të gjitha organet e qeverisjes dhe të internalizohen në të gjitha nivelet e operacioneve qeveritare. Reformat e Të Bërit Biznes zbatojnë këto parime dhe adresojnë çështjet në kuadrin e qeverisjes që krijon mjedisin në të cilin merren vendimet e sektorit privat dhe ndodhin aktivitete, duke çuar kështu në rezultate pozitive ekonomike, duke përfshirë, por jo kufizuar në, rritjen e aktivitetit ekonomik, rritjen e tregtisë, ndarjen dinamike të burimeve, rritjen e kërkesës për punë, rritjen e investimeve vendase dhe të huaja, heqjen e barrierave ndaj pjesëmarrjes gjithëpërfshirëse ekonomike, rritjen e të ardhurave qeveritare, formalizimin e aktivitetit ekonomik, uljen e mundësive për korrupsion dhe përmirësimin e efikasitetit të qeverisë dhe menaxhimin e brendshëm. Këto 5 parime janë:
1. THJESHTËSIA: Përmes riorganizimit të kërkesave ligjore dhe rregullatore, eliminimit të kërkesave të pajustifikueshme dhe reduktimit të kontakteve. Kërkesat dhe procedurat komplekse inkurajojnë kërkimin e alternativave për zgjidhjen e shpejtë dhe ngarkimin e panevojshëm dhe të kotë të veprimeve qeveritare. Kjo mund të përfshijë kërkesa të dyfishta dhe të panevojshme, taksa të larta, ndërhyrje diskrete, vlerësim subjektiv të 2 përputhshmërisë rregullative dhe aktivitete të tjera. Riorganizimi dramatik i bazuar në objektiva të qarta të politikave dhe përdorimi i mekanizmave të konformitetit objektivisht të verifikueshëm rrisin efikasitetin dhe ulin ngarkesën e sektorit privat dhe mundësitë për korrupsion. Korrupsioni lulëzon kur kontaktet midis agjentëve qeveritarë dhe qytetarëve ndodhin shpesh ose në vende private, siç janë gjatë "vizitave" ose intervenimeve të tjera.
2. TRANSPARENCA: Përmes rritjes së publikimit dhe cilësisë së informatave qeveritare dhe të dhënave të performancës Publikimi i ligjeve, rregulloreve dhe veprimtarive qeveritare është një kërkesë themelore e çdo shoqërie. Njohja e ligjit përmirëson diskutimet e politikave dhe fuqizon qytetarët dhe grupet mbështetëse për të identifikuar dhe adresuar sjelljen e keqe ose abuzimin e pushtetit të qeverisë. Kjo sjell një përfshirje më të gjerë në hartimin e politikave dhe dialog të përmirësuar. Për më tepër, publikimi proaktiv i kërkesave ligjore, informacioni i qartë i pajtueshmërisë dhe proceseve zvogëlon kostot e pajtueshmërisë për qytetarët dhe kostot administrative të qeverisë. Së fundmi, publikimi i të dhënave të performancës së qeverisë, duke përfshirë vëllimin e aplikimit, kohën e përpunimit, rezultatet e pajtueshmërisë dhe të dhënave të tjera ndihmon për të informuar publikun rreth veprimeve të qeverisë, për të ndërtuar besim në institucione, për të përshtatur pritjet dhe për të siguruar të dhëna relevante krahasuese për përmirësim të vazhdueshëm.
3. LLOGARIDHËNIA: Përmes rritjes së përdorimit dhe publikimit të metrikave operacionale qeveritare, përkrahjes së kontrolleve dhe balancave të brendshme dhe të jashtme Kur qëllimet e një institucioni janë të paqarta dhe performanca e agjentëve i lihet gjykimit subjektiv, mund të ndodhë konfuzion, paefektshmëri, korrupsion dhe keqpërdorim i pozitës. Gjithashtu, aktivitetet, efikasiteti dhe efektiviteti i një organi i lihen hamendësimeve. Përmes rritjes së përdorimit të metrikës së performancës dhe harmonizimit të metrikave ndërmjet institucioneve dhe vertikalisht brenda Qeverisë, zhvillohet një kuptim i përbashkët i qëllimeve dhe veprimeve, si dhe një mekanizëm i qartë dhe transparent për vlerësim. Përdorimi i të dhënave operacionale, shumica e të cilave tashmë është në sistemet ekzistuese, gjithashtu ndihmon menaxherët dhe udhëheqësit politikë të qeverisë të vlerësojnë dhe menaxhojnë operacionet qeveritare me një kuptim të përbashkët të rezultateve. Shumë nga pikat e mësipërme ushqejnë rritjen e llogaridhënies. Kur ka më shumë transparencë, kritere objektive, kontakte të reduktuara dhe mundësi për angazhim, sisteme për të mbajtur qeverinë përgjegjëse për veprimet janë më të forta. Kjo mund të përfshijë gjithashtu përdorimin në rritje të mbikëqyrjes administrative dhe shqyrtimin e përcaktimeve nga organe të tjera qeveritare.
4. QEVERISJA PËRFAQËSUESE: Përmes angazhimit publik efektiv, koordinimit brenda-qeveritar, duke përdorur mekanizmat e informatave kthyese Një qeveri përfaqësuese u përgjigjet qytetarëve, por gjithashtu udhëhiqet nga qasjet e bazuara në treg në mënyrë që të mos kapet nga interesat dhe agjendat individuale. Kur qeveria është e mbyllur për publikun, rezultatet e politikave dhe sjellja e keqe janë të fshehura. Pa koordinim efikas brenda qeveritar dhe shfrytëzim të mekanizmave të informatave kthyese, iniciativat janë të kushtueshme, ad hoc dhe organet qeveritare rrezikojnë të punojnë në kushte kontradiktore. Përmes nxitjes dhe përfshirjes së pjesëmarrjes së qytetarëve në informatat kthyese të metrikave, dialogun e politikave dhe organet koordinuese, dhe mekanizma të thjeshtuara të informatave kthyese, përmirësimi i vazhdueshëm dhe përgjegjshmëria bëhen pjesë e 3 marrëdhënies qytetar-qeveri. Kjo përfshin gjithashtu inkorporimin e vlerësimeve të palëve të treta dhe mjeteve të tjera.
5. QEVERISJA E ORIENTUAR KAH SHËRBIMI: Përmes operacioneve qeveritare që ofrojnë vlerë për qytetarët në mënyrën më efikase dhe efektive Të gjitha aktivitetet e qeverisë duhet të vlerësohen dhe ekzekutohen me një kuptim të qartë se qeveria i shërben qytetarëve. Kontaktet duhet të bëhen duke pasur parasysh parimet e shërbimeve ndaj klientit, me ndërhyrje minimale dhe të fokusuara në përmbushjen e nevojave të qytetarëve individualë në të gjitha ndërveprimet. Metrika e shërbimeve të klientit dhe mjetet tjera duhet të përdoren për të vlerësuar vazhdimisht performancën, dhe të gjitha vendimet, aktivitetet dhe operacionet të merren parasysh nga këndvështrimi dhe realiteti i qytetarit që përballet me procesin.