Kontrolli doganor

Sipas Ligjit për Tregtinë me Mallra Strategjike, Dogana e Kosovës është përgjegjëse për mbikëqyrjen e eksportit, importit, tranzitit, trans-ngarkimit dhe çdo procedure tjetër doganore që lidhet me mallrat strategjike. Ajo është përgjegjëse edhe për vlerësimin e pajtueshmërisë së mallrave me licencën e lëshuar.

Personat që synojnë të angazhohen në eksport, import, transit ose trans-ngarkim të mallrave strategjike duhet t’i nënshtrohen zhdoganimit kur sjellin mallra në Kosovë dhe që i nxjerrin ato nga Kosova:

Cila është procedura doganore për mallrat strategjike të licencuara?

Tregtari ose agjenti së pari duhet ta dorëzojë licencën origjinale në doganë, së bashku me deklaratën doganore, në kohën e zhdoganimit.

Dogana më pas e krahason informacionin e miratuar në licencë me informacionin e paraqitur në deklaratën doganore dhe në dokumentacionin tjetër.

Bartësi i licencës duhet t’i jep informatat e mëposhtme në deklaratë:

  • emrin e plotë dhe adresën e bartësit të licencës;
  • numrin e licencës për eksport, import, transit ose trans-ngarkim për të cilën është iniciuar procedura doganore;
  • përshkrimin e mallrave në pajtim me licencën e lëshuar;
  • sasinë e mallit në njësi matëse të shënuar në licencë;
  • vlerën e mallrave të shprehur në valutën e përcaktuar në licencë;
  • nomenklaturën e duhur tarifore për mallrat;
  • Numrin e klasifikimit të mallrave, bazuar në Listën Shtetërore të Kontrollit
  • klasifikimin e mallrave të rrezikshme, nëse është e zbatueshme.

Kur Dogana e kontrollon licencën dhe deklaratën, verifikon:

  • Nëse numrat e klasifikimit tarifor në licencë dhe në deklaratë korrespondojnë me njëra-tjetrën
  • Nëse mallrat që transportohen përputhen me numrin e listës së kontrollit të identifikuar në licencë
  • Nëse përshkrimi i mallrave në licencë korrespondon me përshkrimin e mallrave në deklaratë
  • Nëse sasia dhe vlera e mallrave të deklaruara në Doganë lejohen që të transportohen sipas licencës
  • Nëse marrësi i dërgesës/përdoruesi i fundit i identifikuar në licencë është i njëjtë me atë të identifikuar në deklaratë dhe në dokumentacionin tjetër
  • Nëse destinacioni i identifikuar në deklaratë dhe në dokumentacionin tjetër është i njëjtë me lokacionin e identifikuar në licencë

 

Licencat e lëshuara nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë e identifikojnë sasinë dhe vlerën e miratuar të artikullit që mund të tregtohet me licencë. Personi që importon, eksporton, kalon tranzit ose trans-ngarkon mallra strategjike të licencuara e ka opsionin që mos ta dërgojë tërë sasinë ose vlerën e miratuar në një dërgesë. Sa herë që bartësi i licencës dërgon mallrat e lejuara sipas licencës, Dogana do ta tregojë me sa vijon në licencë:

  • Sasinë apo vlerën ende në dispozicion
  • Sasinë apo vlerën që duhet të zbritet
  • Dokumentin doganor dhe datën e zbritjes
  • Nënshkrimin dhe vulën e Doganës së Kosovës

Çka ndodh nëse tentoni t’i zhdoganoni mallrat strategjike pa leje?

  • Procedurat e vlerësimit të rrezikut doganor përfshijnë shqyrtimin e mallrave strategjike;. Dogana mund ta shënojë dërgesën tuaj për ekzaminim për të konfirmuar se mallrat tuaja nuk kërkojnë licencë.
  • Dogana mund t’i ndalojë mallrat tuaja derisa të përcaktojë nëse kërkojnë licencë. Dogana mund ta kërkojë ndihmën e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për ta konfirmuar statusin e licencës së mallrave.
  • Nëse mallrat tuaja kërkojnë licencë, nuk do të lejoheni që të vazhdoni me procedurën doganore derisa ta merrni licencën e nevojshme nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.

Nëse Dogana e Kosovës vërteton se është shkelur Ligji për Tregtinë e Mallrave Strategjike, ajo mund ta lëshojë një urdhër në të cilin do të përcaktohet afati kohor brenda të cilit duhet të korrigjohen parregullsitë.

Nëse Dogana e Kosovës zbulon shkelje të ligjit, atëherë incidenti mund të vazhdojë në hetime administrative ose penale.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors