Objekt i verifikimit ishin peshoret e mëdha (60 tonë) që përdoren për të peshuar grurë, misër, elb dhe prodhime të tjera bujqësore, zakonisht në qendra grumbullimi
Verifikimi periodik i peshoreve të mëdha gjatë kohës së korrje-shirjeve është një proces i rëndësishëm për të garantuar saktësinë e matjeve të peshës së prodhimeve bujqësore dhe për të siguruar ndershmëri në transaksione midis fermerëve, grumbulluesve dhe përpunuesve.
Pas këtij procesi të verifikimit që përfshin kontrollimin e saktësisë së peshores dhe inspektimin teknik të gjendjes së peshores, Agjencia e Metrologjisë së Kosovës ka vendosur shenjat e verifikimit në 58 peshoret e mëdha ( 60 tonë) të verifikuara gjatë këtij viti.
Peshoret e verifikuara në industrinë e prodhimit, bujqësisë dhe në shërbimet e logjistikës, mundësojnë matje të sakta, duke çuar në përmirësimin e konsistencës së produkteve dhe plotësimin e standardeve evropiane të cilësisë.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), ka për qëllim mbrojtjen e konsumatorëve, krijimin e konkurrencës së drejtë dhe parandalimin e praktikave mashtruese.
Përmes verifikimit të peshoreve, MINT rrit besimin që konsumatorët po marrin sasinë e duhur dhe mundëson që bizneset të konkurrojnë në kushte të barabarta dhe të besojnë se konkurrentët e tyre po respektojnë të njëjtat standarde.
Bizneset që përdorin peshore të verifikuara tregojnë angazhimin e tyre për të respektuar ligjin, duke shmangur gjobat e mundshme, pasojat ligjore dhe dëmtimin e reputacionit të tyre.







