Inspektorati i Tregut i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë bashkë me Policinë e Kosovës (Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit) kanë kryer një aksion nëpër dyqanet e shitjes së telefonave në Prishtinë.
Gjatë këtij aksioni janë inspektuar 31 dyqane të shitjes së telefonave mobil, me ç’rast janë konfiskuar 118 telefona të mençur, 3 tableta (IPod), 11 palë kufje (Airpods).
Poashtu një dyqan është mbyllur nga Inspektorati i Tregut në mungesë të dokumentacioneve (biznes i paregjistruar), ndërsa një dyqani tjetër i është ndaluar përkohësisht ushtrimi i veprimtarisë deri në verifikimin e plotë të gjendjes.
Qëllimi i këtij aksioni ishte dyshimi për kontrabandë të mallrave, shmangie nga tatimi dhe shmangie nga pagesat e tarifave të detyrueshme doganore.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, respektivisht Inspektorati i Tregut e ka në prioritet luftimin e informalitetit, eliminimin e praktikave të padrejta tregtare si dhe mbrojtjen e konsumatorit, prandaj do të vazhdojë me aksione të tilla edhe në të ardhmen.
Lusim të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që sa herë të ballafaqohen me praktika mashtruese në treg, ankesat e tyre t’i deponojnë në platformën elektonike:
https://konsumatori.rks-gov.net
ose të thërrasin (pa pagesë) në numrin e telefonit:
Tel: 0800 11 000.
Secila ankesë trajtohet me shumë përkushtim dhe korrektësi.