Duke marrë shkas nga shkrimet e raportuara në ditët e fundit në mediat e shkruara dhe ato elektronike të Kosovës, lidhur me lëvizjet e fundit të çmimeve të karburanteve të naftës në Kosovë, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ju bën me dije se:
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë e Republikës së Kosovës, është duke ndjekur me vëmendje zhvillimet e fundit në tregun e vendit si dhe në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare dhe është duke u përkujdesur që të ketë të dhëna të përditësuara lidhur me aktivitetet e bizneseve që merren me importimin dhe tregtimin e karburanteve të naftës.
Rrjedhimisht, MTI-ja ka analizuar gjendjen aktuale në tregun vendor dhe rajonal të shitjeve me pakicë dhe ka rezultuar se në krahasim me shtetet anëtare të BE-së dhe atyre të rajonit, Kosova sot e ka çmimin më të ulët të shitjes me pakicë të benzinës, ndërsa sa i përket dizelit, përveç Maqedonisë, Kosova e ka çmimin shitës më të ulët në rajon. Në ditët e fundit, çmimi mesatar i shitjes me pakicë të benzinës në rajonin e Prishtinës është 1.092 euro/litër ndërsa ai i dizelit është 1.079 euro/litër.
Në Kosovë, aktualisht janë rreth 40 importues ekonomikë të licencuar që merren vetëm me importim të produkteve të dizelit dhe benzinës. Për shkak të konkurrencës, tregu i karburanteve të naftës në Kosovë, është shumë dinamik dhe shpejt e rregullon çmimin e shitjes me pakicë, madje në mënyrë shumë më efikase sesa do ta rregullonte një rregullator. Kjo është dëshmuar me statistika të çmimeve të importit dhe të çmimeve të shitjes me pakicë. Rregullimi i çmimit maksimal apo i marzhës maksimale të shitjes me pakicë bëhet në disa shtete, dhe atë kryesisht në shtetet që nuk kanë konkurrencë të mjaftueshme, pra në tregjet në të cilat operojnë vetëm një numër i vogël i operatorëve ekonomikë, siç janë Maqedonia dhe Mali i Zi, ndërsa Kroacia deri në fund të vitit 2014 e ka rregulluar çmimin maksimal, por që me direktivat nga EU-ja kanë kaluar në liberalizmin e tregut të karburanteve të naftës. Sa për krahasim, këto ditë në Maqedoni, e cila e ka rregullatorin e çmimit, litri i benzinës është në shitje me 1.17 euro, ndërsa dizeli me 0.93 euro/lit.
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë nëpërmjet departamenteve të saj (Departamenti për Rregullimin e Tregut të Naftës si dhe Inspektorati i Tregut) janë duke u angazhuar seriozisht në verifikimin dhe kontrollimin e operatorëve ekonomikë që merren me tregtimin e karburanteve të naftës në Kosovë.
Për informimin tuaj, që nga fillimi i vitit 2015, Departamenti për Rregullimin e Tregut të Naftës në bashkëpunim me Komisionin për regjistrimin e pikave shitëse dhe me Inspektoratin e Tregut ka bërë regjistrimin me GPS të të gjitha pikave shitëse me pakicë të karburanteve dhe janë evidencuar 687 pika aktive të shitjes me pakicë në Kosovë, (duke përfshirë edhe komunat në veri të vendit). Aktualisht, janë 467 pika shitëse me licenca të zyrtarizuara (apo e shprehur në përqindje rreth 68% e tyre). Për të bërë një analizë krahasimtare për angazhimet e MTI-së në 5 muajt e parë të vitit 2015, mund të cekim faktin se deri më 31 dhjetor 2014, në Kosovë, kanë qenë 377 pika shitëse me licenca të vlefshme, ndërsa me aksionet e fundit të MTI-së për mbylljen e pikave që nuk posedojnë licencë të vlefshme, numri i pikave shitëse të licencuara është rritur rreth 25%.
Gjatë këtyre 5 muajve të vitit 2015, Inspektorati i Tregut i MTI-së ka bërë mbi 220 inspektime të operatorëve të karburanteve të naftës dhe ka mbyllur 15 pika shitëse me pakicë që kanë operuar pa licencë të vlefshme. Aksioni është në vazhdim e sipër.
Ndërkaq, Agjencia e Metrologjisë së Kosovës, i ka bërë rreth 265 verifikime të kalibrimit të aparateve për shitje të karburanteve, e shprehur në përqindje mbi 30% më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Po ashtu, MTI-ja ka draftuar Projektligjin për Tregti me Produkte të Naftës dhe Karburante të Ripërtëritshme, i cili do të sigurojë që tregu i naftës në Kosovë të jetë cilësor, i sigurt dhe konkurrent; do të lehtësojë procedurat administrative dhe do të bëhet më i zbatueshëm. Ky projektligj parasheh mundësinë e rregullimit të çmimit maksimal, në rastet kur kjo kërkesë paraqitet si domosdoshmëri. Megjithatë, projektligji nuk parasheh rregullimin e çmimit minimal pasi që sipas vlerësimit të ekspertëve, konkurrenca është rregullatori më i mirë i çmimeve në tregun e naftës.