Dita e Lëvizshmërisë dhe Sigurisë në Kosovë 2022

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari së bashku me Ministrin e Mbrojtjes, Armend Meha, sot morën pjesë në Ditën e Lëvizshmërisë dhe Sigurisë në Kosovë 2022, një punëtori gjysmë ditore e organizuar nga Shoqata Ndërkombëtare e Operacioneve të Stabilitetit (ISOA) si rrjet i njohur me autoritet të lartë për bizneset e operacioneve të stabilitetit në mbarë botën.

Seminari i sotëm bashkoi përdoruesit përfundimtarë dhe furnizuesit e shërbimeve dhe produkteve të lidhura me sigurinë dhe që ishin të gatshëm për të mbështetur kërkesat e Forcave të Armatosura të Kosovës. Prezantimet e seminarit dhanë një përditësim të fundit rreth prokurimit ushtarak, menaxhimin e flotës së automjeteve ushtarake, logjistikës së produkteve kryesore ushtarake dhe zgjidhjet mbrojtëse për automjetet. Gjithashtu u diskutuan përditësimet e industrisë, sfidat rajonale dhe mundësitë për investime në Kosovë në sektorë të ndryshëm industrial.

Ministri Armend Meha dhe Ministrja Rozeta Hajdari me fjalimet e tyre, prezantuan kontekstin dhe klimën e të berit biznes dhe përparësitë konkurruese për investime ‘nearshoring’ në Kosovë si dhe potencialet për zhvillimin dhe transformimin e industrisë vendore. Pjesëmarrësit e seminarit u njoftuan edhe për treguesit e rritjes ekonomike dhe rritjes së demokracisë në Republikën e Kosovës për vitin 2021.

Ndër të tjera Ministrja Hajdari theksoi se vizioni dhe masat tona për veprime janë që Kosova të transformohet në një industri më të integruar globalisht në vitet në vijim, derisa analizat e zinxhirit të vlerës në sektorë të ndryshëm industrial, konfirmojnë se njerëzit tanë kanë kompetencën e prodhimit dhe se bizneset vendase do të jenë në gjendje të prodhojnë produkte me vlerë të shtuar të lartë dhe të ofrojnë punësim.

Kurse Ministri Meha, me vlerësim të lartë për misionin dhe angazhimet e ISOA-s, theksoi se Kosova është e gatshme të ofrojë të gjithë potencialin njerëzor, logjistik dhe gjeostrategjik me partnerët tanë dhe investitorët e mundshëm për të kontribuar pozitivisht në rritjen e paqes ndërkombëtare, zhvillimin dhe sigurinë njerëzore, për faktin që Kosova konsiderohet si partnere në këtë mision. Ai shtoi se përmes investimit në Kosovë, bashkërisht do të kontribuojmë në misionin e NATO-s, që është ruajta e paqes dhe stabilitetit në vend, rajon dhe më gjerë. Bashkëpunimi në këtë drejtim është në përputhje edhe me synimin kryesor të vendit tonë që është anëtarësimi në NATO dhe BE.

Në vijim, zotëri Howie Lind President për ISOA dhe Thomas Lampley, Kryetar i Komisionit të Çështjeve Qeveritare të KBR & ISOA, shprehën përkushtimin e tyre për të promovuar dhe sjellur në Kosovë rrjet të biznesit për operacionet e stabilitetit dhe të biznesit në mbarë botën, me standarde më të larta operacionale dhe etike të kompanive aktive me kontribut pozitiv në rritjen e paqes ndërkombëtare.

Nga rrjeti i biznesit për operacionet e stabilitetit, për investime potenciale në Kosovë, ishin prezent kompani të njohura ndërkombëtare si Mercedes-Benz Group AG , Leonardo Helicopters, RMD, Optimum Vehicle Services, Nolte Services, 4Cost, UAW Germany GmbH, E- Tech LLC nga Kosova dhe përfaqësues të tjerë, të cilët shprehën interesim për investime në Kosovë.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë do të vazhdojë të ofrojë mbështetjen dhe lehtësimet për kompanitë e lartpërmendura me interes për të investuar në Republikën e Kosovës.

Post ImagePost ImagePost ImagePost ImagePost Image
Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors