Drejtoria e Akreditimit të Kosovës aplikon për Marrëveshjen Multilaterale në Organizatën Evropiane për Bashkëpunim në Akreditim

Prishtinë,
30/04/2026

Marrëveshja Multilaterale e EA-së është njohje e ndërsjellë ndërmjet trupave kombëtare të akreditimit, që janë anëtare të kësaj organizate.

Përmes kësaj marrëveshje, nënshkruesit njohin dhe pranojnë ekuivalencën e sistemeve të akreditimit të njëri-tjetrit, si dhe besueshmërinë e rezultateve të vlerësimit të konformitetit, si raportet apo certifikatat, që lëshohen nga trupat e akredituar për fusha të caktuara.

Qëllimi kryesor i kësaj marrëveshjeje është krijimi i besimit te të gjitha palët e interesit për rezultatet e vlerësimit të konformitetit dhe të lehtësojë pranimin e tyre në tregje të ndryshme. Kjo ka rëndësi të madhe për zhvillimin e industrisë dhe për bizneset, pasi shmang nevojën që të njëjtat produkte apo shërbime të kalojnë nëpër procese të përsëritura vlerësimi në vende të ndryshme.

Si rezultat, kjo marrëveshje ndikon drejtpërdrejt në rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve dhe shërbimeve, duke ulur kostot, duke eliminuar barrierat teknike në tregti dhe duke shtuar vlerë për bizneset dhe konsumatorët.

Aplikimi për këtë marrëveshje është paraprirë nga një sërë aktivitetesh të ndërmarra nga DAK-u, përfshirë harmonizimin e plotë të procedurave, politikave dhe praktikave të akreditimit me ato të Bashkimit Evropian, ngritjen e kapaciteteve të stafit të brendshëm dhe të jashtëm, që janë pjesë e proceseve të vlerësimit për akreditim, si dhe angazhimin aktiv në aktivitetet e Organizatës Evropiane për Bashkëpunim në Akreditim. Në këtë kuadër, DAK ka kontribuar edhe në hartimin e Strategjisë së Akreditimit Evropian 2030, duke qenë një nga vendet e pakta nga Ballkani Perëndimor, që kanë qenë të përfshira në këtë proces.

Procesi do të vazhdojë me vlerësime teknike nga ekipet e EA-së, si hap i radhës drejt nënshkrimit të marrëveshjes, për të cilin DAK tashmë është duke bërë përgatitjet e nevojshme.

DAK mbetet e përkushtuar për avancimin e vazhdueshëm të sistemit të akreditimit në vend, në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare. Përmes këtij procesi synohet mbështetja e industrisë vendore, rritja e besueshmërisë së produkteve dhe shërbimeve, lehtësimi i qasjes në tregjet ndërkombëtare dhe kontributi në zhvillimin ekonomik të vendit.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors