Krahas shënimit të 14 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, nga institucionet qeveritare të Republikës së Kosovës, është mbajtur ceremoni me përmasa globale për nder të kësaj dite në kuadër të “Expo 2020 Dubai”
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhillimit Rural, Faton Peci, Zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, Ambasadori i Republikës së Kosovës në EBA, Xhabir Hamiti, Ministri i Ndërmarrësisë dhe Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme i Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) , Ahmad bin Abdullah Humaid Belhoul Al Falasi, përfaqësues të institucioneve të EBA-s dhe shumë personalitete të jetës kulturore e ekonomike kanë kremtuar së bashku festën e Pavarësisë në ‘Expo Dubai 2020”.
Aktivitetet për nder të kësaj dite kanë filluar me forumin ekonomik, ku përfaqësuesit e institucioneve të Republikës së Kosovës, para të pranishmëve kanë promovuar klimën e përshtatshme biznesore dhe mundësitë e shkëlqyeshme që ofron Kosova për investimet e huaja.
Ndërkaq, në ceremoninë qendrore, udhëheqësja e delegacionit të Republikës së Kosovës, Ministrja Rozeta Hajdari, duke falënderuar homologun e saj emiratas, Ahmand Belhoul Al Falasi, në fjalën e saj përshendetëse tha se sot Kosova feston historinë dhe kulturën e lashtë të popullit të saj, ditën e shpalljes së pavarësisë dhe dëshirën e përjetshme për përparim dhe prosperitet.
“Qeveria jonë është e përkushtuar për paqen dhe stabilitetin, sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik, si dhe marrëdhëniet e mira me shtetet mike pranë dhe anë e mbanë globit. Jam e nderuar që se bashku me ju jemi ketu duke festuar 14-vjetorin e Republikës sonë dhe historinë e lashtë të popullit tonë – si trashëgimtarë të ilirëve, të vetmit vendas në Ballkan”- theksoi Ministrja Hajdari.
Ministrja Hajdari përmendi se prania e vendit tonë në EXPO 2020 Dubai, tregon vlerat e potencialeve multidisiplinare, historinë e lashtë të kombit tonë, burimet natyrore, trashëgiminë kulturore, demokracinë, tolerancën dhe potencialet më të rëndësishme të brezit të ri : kulturën, sportin, artin, inovacionin dhe ndërmarrësinë.
Në këtë kontekst, Ministrja Hajdari tha se është një mundësi e jashtëzakonshme – për të shfaqur historinë tonë unike, për të nxitur vlerat tona të përbashkëta dhe për të krijuar lidhje me qeveritë, bizneset, organizatat dhe personalitetet nga vendi pritës dhe vendet e tjera pjesëmarrëse.
Ministrja Hajdari potencoi se ndihemi kaq krenarë që shohim flamurin tonë duke valëvitur mes 190 shteteve të trajtuara në mënyrë të barabartë, është historike për kombin tonë, poashtu synojmë të shohim praninë e shtetit tonë në organizata dhe ngjarje të tjera globale.
Ministrja Hajdari rikujtoi kohën kur EBA-të se bashku më aleatët, në vitin 1999, gjatë periudhës kohore kur Kosova u përball me gjenocidin dhe luftoi për të arritur lirinë e saj, ndihmuan Kosovën dhe qytetaret e saj në momentet më të vështira.
Ministri i Ndërmarrësisë dhe Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme i Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), Ahmed bin Abdullah Humaid Belhoul Al Falasi, tha se ndjehen të lumtur që patën mundësinë që së bashku me delegacionin nga Kosova të festojnë ditën me të rëndësishme për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Përfaqësuesit e dy vendeve thanë se takime të tilla mbresëlenëse duhet të vihen në shërbim të lidhjeve ekonomike në drejtim të thellimit të bashkëpunimit ekonomik.











