Filloi rundi i parë i negocimit të shërbimeve në kuadër të marrëveshjes së CEFTA-s

Më 6 dhe 7 nëntor, në Shkup, është organizuar rundi i parë i negociatave për ‘Shërbimet Profesionale’ në kuadër të CEFTA-s. Ky është takimi i parë në vazhdën e 6 takimeve të planifikuara deri në fund të negocimit, i cili do të zgjasë 18 muaj, respektivisht deri në gjysmën e vitit 2016.

Sektorët të cilët janë paraparë për t’u negociuar janë: rundi i parë dhe i dytë – shërbimet profesionale; rundi i tretë – shërbimet e turizmit, mjedisit dhe rekreacionit; rundi i katërt – shërbimet e komunikimit dhe ndërtimit; rundi i pestë – shërbimet e distribuimit, edukimit dhe shërbimet shëndetësore dhe rundi i gjashtë – shërbimet financiare, transportit dhe shërbimet audio-vizuale.

Takimi i parë për negocimin e shërbimeve është kryesuar nga Maqedonia. Në këtë takim, fillimisht  është diskutuar për protokollin e negocimit të shërbimeve, dokument i cili do të mundësojë mënyrën e menaxhimit dhe koordinimit të negociatave për shërbimet në kuadër të kësaj marrëveshjeje. Po ashtu është diskutuar edhe për themelimin e Nënkomitetit për Tregtinë në Shërbime, i cili do t'i ketë dy  grupe punuese: 1. Grupi Negociator për Tregtinë në Shërbime dhe 2. Grupi Punues për Statistikat e Tregtisë në Shërbime.

Në parim, shumica e vendeve të CEFTA-s u pajtuan për themelimin e kësaj strukture.

Çështjet themelore që u diskutuan kishin të bënin me çështjet që kanë karakter horizontal si: trajtimi i personave natyralë dhe liria e lëvizjes së tyre ( që përfshin mënyrën e katërt të shërbimeve, e që  nënkupton prezencën fizike).
Më pas, u bë prezantimi i ofertave nga secili vend i CEFTA-s për sektorët e shërbimeve profesionale, ku pas diskutimeve pjesëmarrësit e vendeve anëtare u pajtuan që ‘lista e negocimeve’ të bëhet me e thjeshtëzuar, duke u munduar që të mos të përfshihen fushat të cilat nuk do të liberalizohen apo për të cilat nuk do të ketë qasje nga palët tjera.

Të gjitha këto veprime të propozuara në takimin e negociatave do të mundësojnë thjeshtësimin e këtij procesi dhe në të njëjtën kohë do të ofronin pasqyrë më të qartë të shërbimeve të propozuara për liberalizim.

Takimi i radhës është propozuar për t’u mbajtur në muajin shkurt 2015, nën kryesimin e Moldavisë, e cila do të udhëheqë me marrëveshjen e CEFTA-s për një vit, deri më 31 dhjetor 2015.

Këtij takimi i ka paraprirë punëtoria për implementimin e Direktivës së Shërbimeve, e cila është organizuar nga TAIEX, më 4 dhe 5 nëntor 2014.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors