Forumi Ekonomik Gjermano-Kosovar bashkon bizneset, ministrja Kusari-Lila prezanton potencialin industrial të Kosovës

Forumi i 3-të Ekonomik Gjermano-Kosovar u hap me fjalët hyrëse të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Ambasadorit të ri të Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, të cilët theksuan potencialin e partneritetit ekonomik dhe mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet bizneseve të të dyja vendeve.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, mori pjesë në panelin “Gjermania dhe Kosova: Nxitja e transformimit industrial, inteligjencës artificiale dhe investimeve”, së bashku me deputetin e Bundestagut gjerman nga CDU, Dr. David Preisendanz, drejtorin ekzekutiv të ProCredit Bank në Kosovë, Visar Paçarada, dhe përfaqësuesin e Dhomës së Aftësimit Profesional të Shtutgartit, Peter Friedrich.

Gjatë diskutimit, ministrja Kusari-Lila theksoi përgjegjësinë e MINTI-t për krijimin e një mjedisi të favorshëm për bizneset, nga regjistrimi i tyre deri te certifikimi i produkteve, mbikëqyrja e tregut dhe mbrojtja e konsumatorit. Ajo vuri në pah rëndësinë e procedurave të thjeshta, transparente dhe të parashikueshme, si dhe të rregullave të qarta për investitorët.

Në fokus të diskutimit ishte edhe transformimi industrial, rritja e kapaciteteve prodhuese dhe përmirësimi i infrastrukturës industriale, duke synuar përmbushjen e standardeve mjedisore dhe rritjen e konkurrueshmërisë së bizneseve kosovare.

Ministrja tha se Kosova ofron mundësi për bashkëpunim me kompanitë gjermane, përfshirë fuqinë e re punëtore, zhvillimin e programeve të aftësimit profesional dhe potencialin inovativ të bizneseve vendore. Këto mundësi krijojnë bazë për investime të reja, transferim të teknologjisë dhe partneritete afatgjata.

Inteligjenca artificiale dhe teknologjitë e reja u veçuan si mundësi për transformimin e industrisë, rritjen e produktivitetit dhe përmirësimin e cilësisë së produkteve dhe shërbimeve.

Forumi synon të kontribuojë në forcimin e lidhjeve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, duke krijuar mundësi për investime, zhvillim të kapaciteteve prodhuese, hapjen e vendeve të reja të punës dhe prodhimin e produkteve me vlerë më të lartë të shtuar.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors