Me 21 prill 2022, është mbajtur Forumi Ekonomik në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Austrisë me temën “Klima ekonomik dhe e investimeve në Kosovë”, me qëllim për intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit për zgjerimin dhe diversifikimin e tregtisë dypalëshe dhe rritjen e investimeve.
Në fjalimin e tij, Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen në emër të Republikës së Kosovës, për mbështetjen e dhënë nga Republika e Austrisë në shumë fusha, si një nga partnerët tanë kryesorë ekonomik në shkëmbim tregtar, investime të huaja direkte dhe politikë. Njëkohësisht, ai shprehi kënaqësinë e tij që nën organizimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në bashkëpunim me Dhomën Ekonomike Federale Austriake, shumë biznese austriake dhe kosovare nga sektorë të ndryshëm do të takohen në takime B2B, do të krijojnë kontakte të reja dhe do t’i ndajnë përvojat dhe ekspertizën e tyre më të mirë, me fokus të veçantë në krijimin e një bashkëpunimi të mundshëm të përbashkët.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, me fjalimin e saj të fokusuar në përparësitë konkurruese ‘nearshoring’ për investime në Kosovë, tha se Qeveria Kurti me parimet e qeverisjes së mirë, me politikat dhe legjislacionet e reja për përkrahjen e investimeve, me avantazhet konkurruese ‘nearshoring’ dhe me bashkëpunimin e afërt, ka rritur besimin për të investuar në Republikën e Kosovës.
”Për të krijuar një mjedis më të mirë dhe më të sigurt për tërheqjen e investimeve të huaja, ne kemi nisur një reformë serioze strukturore. Disa për t'u përmendur janë: reforma në drejtësi me legjislacion të mirë, në përputhje me standardet e BE-së, reformat në administratën publike dhe reformat për përmirësimin e mjedisit të biznesit dhe zhvillimin e konkurrencës në sektorin privat.” tha ministrja Hajdari.
Duke theksuar përparësitë konkurruese për investime, ministrja Hajdari tha se Kosova është një vend për ’nearshoring’ që u jep kompanive austriake fleksibilitet, gjatë operimit të tyre në të njëjtën zonë kohore, por me kosto më të ulëta operacionale. Ndër përparësitë tjera konkurruese për investime në Kosovë, Ministrja Hajdari përmendi infrastrukturën e zhvilluar rrugore dhe dixhitale dhe afërsinë me portin e Durrësit, si mundësi për rritjen e mundësive tregtare dhe investimeve, rininë kreative, shumë gjuhëshe dhe me aftësi të mira dixhitale, tatimet e ulëta dhe valuta Euro, si një përparësi për të ulur kostot e transaksioneve dhe rreziqet e kursit të këmbimit.
Ndërsa video mesazhi nga ministrja Federale e Austrisë për Çështje Dixhitale dhe Ekonomike, Margarete Schramböck, theksoi se Kosova është me rëndësi të madhe për Austrinë dhe se është koha që të dy shtetet të bëhen bashkë dhe të punojnë bashkë në aspektin ekonomik dhe politik për të ardhmen e të dy shteteve. Ajo vlerësoi lartë forumin ekonomik Kosovë-Austri si një mundësi që paraqet gjithmonë bazën për momentume të reja, në punë të përbashkët ne anën politike dhe atë ekonomike, duke shtuar rëndësinë e veçantë në bashkëpunimin ne çështjet e dixhitalizimit dhe nevojën per ti vendosur kornizat e duhura, ne mënyrë qe gjeneratat e reja të jetojnë në një mjedis më të mirë se ky që jetojmë sot.
Në kuadër te forumit ekonomik u mbajtën panele diskutimi dhe prezantime nga Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike, Oda Ekonomike e Kosovës dhe Dhoma Ekonomike e Austrisë, Agjencia për Promovimin e Investimeve dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve (KIESA), Raiffeisen Bank, ADA, ITP Prizren dhe ICK, gjersa pjesëmarrësit në audiencë patën mundësinë e parashtrimit të pyetjeve, vërejtjeve dhe sugjerimeve të tyre lidhur me të berit biznes në Kosovë.









