Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit dhe Ministria e Ekonomisë kanë përmbyllur procesin e përzgjedhjes së përfituesve nga dy skemat e granteve që mbështesin modernizimin e bizneseve në fushën e energjisë së pastër dhe arsimit dual.
Ceremonia përmbyllëse u mbajt në prani të ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, shefit të Misionit të Dukatit të Madh të Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz, si dhe përfaqësuesve të bizneseve dhe institucioneve.
Përmes skemës së arsimit dual janë mbështetur gjashtë konsorciume të ndërmarrjeve dhe shkollave profesionale, ndërsa nga skema e energjisë së pastër dhe efikasitetit energjetik, e realizuar në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, kanë përfituar 38 ndërmarrje. Të dyja skemat janë bashkëfinancuar nga LuxDev.
Me këtë rast, ministrja Kusari-Lila u ka uruar përfituesve sukses në realizimin e projekteve të tyre, duke theksuar se MINTI po punon edhe në reformimin e menaxhimit të skemave të granteve. Kjo reformë synon të përfshijë më shumë bankat komerciale dhe Fondin Kosovar për Garanci Kreditore, në mënyrë që grantet publike të shërbejnë si nxitje për financime shtesë nga sektori financiar dhe për investime më të mëdha nga ndërmarrjet.
Synimi i kësaj qasjeje është që mbështetja publike për bizneset të jetë më e qasshme, më e parashikueshme dhe të ketë ndikim më të madh në zhvillimin e tyre.
Kusari-Lila ka theksuar se objektivi mbetet rritja e prodhimit vendor, përmes ndërmarrjeve më produktive dhe zhvillimit të një industrie të mbështetur në teknologji, inovacion dhe aftësi profesionale, me synimin për të zgjeruar bazën prodhuese dhe për të nxitur rritjen e qëndrueshme ekonomike.
