Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, mori pjesë në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë, të organizuar në RIT Kosovo, ku përfaqësues institucionalë, akademikë dhe ekspertë ndërkombëtarë diskutuan për sfidat e reja të sigurisë dhe rolin e teknologjisë në përballimin e tyre.
Në forum, ministrja Kusari-Lila mori pjesë së bashku me ministrin e Digjitalizimit, Lulëzon Jagxhiu, dhe zëvendësministrin Gegë Lleshi. Në organizimin dhe zhvillimin e këtij diskutimi kontribuuan Ylli Bajraktari dhe Ylber Bajraktari nga Special Competitive Studies Project (SCSP), presidentja e RIT Kosovo, Dr. Albina Balidemaj Basha, si dhe udhëheqësi i Projektit NSIC, gjeneral brigade Xhavit Gashi.
Gjatë adresimit të saj, Kusari-Lila tha se siguria nuk kufizohet më vetëm në kapacitetet ushtarake dhe mbrojtjen territoriale, por përfshin edhe reziliencën teknologjike, infrastrukturën e sigurt, kapacitetet industriale dhe zinxhirët e furnizimit.
Në këtë kontekst, ministrja bëri të ditur se MINTI, në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes, ka finalizuar Konceptin e Ligjit për Industrinë e Mbrojtjes. Kjo nismë synon zhvillimin e kapaciteteve vendore prodhuese, nxitjen e investimeve dhe përfshirjen e ndërmarrjeve kosovare në këtë sektor strategjik.
Ajo foli edhe për mbështetjen ndaj sektorit të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK) dhe startup-eve në Kosovë, përmes programeve dhe granteve, me synimin që ato të kalojnë gradualisht nga ofrimi i shërbimeve drejt zhvillimit të produkteve vendore dhe teknologjive me përdorim të dyfishtë, si dhe të rrisin konkurrueshmërinë në tregjet ndërkombëtare.
Për këtë qëllim, MINTI po punon në krijimin e një kornize të re përmes Ligjit për Inovacionin dhe Fondit të Inovacionit, që synon forcimin e lidhjeve ndërmjet shkencës, universiteteve, industrisë dhe politikave publike.
Në përmbyllje, ministrja theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe ndërveprueshmërisë ndërmjet institucioneve, akademisë dhe sektorit privat, duke vlerësuar se sfidat e reja të sigurisë kërkojnë platforma të përbashkëta dhe koordinim më të madh. Ajo falënderoi RIT Kosovo, SCSP dhe ekipet e përbashkëta Kosovë–Shqipëri për angazhimin në kuadër të Projektit NSIC dhe kontributin në këtë forum.


