IQMT me mbikëqyrje të çmimeve të barnave, gjoba në Pejë- inspektimet shtrihen në të gjithë Kosovën

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në bashkëpunim me Inspektoratin Farmaceutik, ka intensifikuar mbikëqyrjen e çmimeve të barnave në barnatoret në të gjithë vendin.

Pas ankesave të pranuara nga konsumatorët lidhur me mospërputhjen e çmimit të shënuar në banderolë me çmimin e paraqitur në arkë, IQMT-ja ka kërkuar asistencën e inspektorëve farmaceutikë, me qëllim të parandalimit të parregullsive në çmime dhe mbrojtjes së konsumatorëve nga praktikat e padrejta tregtare.

Gjatë inspektimeve të realizuara sot në Komunën e Pejës, janë shqiptuar edhe gjoba ndaj subjekteve ku janë konstatuar shkelje.

Inspektimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, përmes aksioneve të veçanta në të gjitha rajonet e Republikës së Kosovës.

Në rastet e mospërputhjes së çmimit të paguar me çmimin e paraqitur për konsumatorin, baza ligjore përkatëse është Ligji Nr. 06/L-034 për Mbrojtjen e Konsumatorit, përkatësisht neni 26, paragrafi 9, në lidhje me nenin 137, paragrafi 1, nën paragrafi 1.11.

Këto dispozita përcaktojnë detyrimin e tregtarit për të garantuar përputhjen e çmimit të paguar me çmimin e ofruar, si dhe sanksionet përkatëse për shkeljet e konstatuara sipas nenit 137, paragrafi 1, gjoba për personin juridik mund të jetë nga 1.000 deri në 10.000 euro.

Ndërkaq, vetëm gjatë këtij viti, në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit janë adresuar mbi 20 ankesa lidhur me këtë problematikë, duke shënuar trend rritës krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), përmes IQMT-së, mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve dhe garantimin e transparencës në treg.

Konsumatorët mund t’i adresojnë ankesat e tyre përmes adresës elektronike konsumatori@rks-gov.net ose përmes platformës Viber, në numrin +383 (0) 46 311-000.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors