Ministri i Tregtisë dhe Industrisë Bernard Nikaj, sot ka ndarë gjashtë shpërblime për Biznes-planet më të mira.
Fitues të shpërblimeve janë:
1. Arben Bajramaj – Biznes-Plan për kultivimin e mjedrës
2. Abetare Domi – Biznes-Plan për ofrimin e ushqimit të shpejtë
3. Kosovare Rexhepi – Biznes-Plan për rrobaqepësi dhe dizajn
4. Edita Berani – Biznes-Plan për shërbime, trajtime të mjekësisë fizikale me rehabilitim
5. Fatmire Kamberaj – Biznes-Plan për qumësht dhe produkte të qumështit si: djathë, kos, mazë, etj
6. Rinor Arifi – Biznes-Plan për bujqësi, kultivimi i bimëve; rozmarina, menta dhe rigon të bardhë.
Gjatë fjalimit të tij, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, z.Nikaj tha: “Ministria e Tregtisë dhe Industrisë përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve do të vazhdojë të mbështesë ndërmarrësit e rinj me qëllim të lehtësimit dhe realizimit të planeve të tyre”.
Biznes-planet e vlerësuara nga juria profesionale janë shpërblyer me nga 5,000.00 euro të cilat mund të tërhiqen pas regjistrimit të biznesit dhe fillimit të implementimit.
Në garën e Biznes-planeve kanë qenë të ftuar të gjithë ndërmarrësit e rinj potencialë (veçanërisht studentët) që nuk kanë pasur të regjistruar biznese, por të cilët kanë ambicie të zhvillimit të ndërmarrësisë së tyre.
Vlerësimi i Biznes-planeve më të mira është bërë nga një juri profesionale, në të cilën janë përfshirë edhe përfaqësues të asociacioneve të biznesit. Përparësi u është dhënë kritereve të mëposhtme.
• Ideja e elaboruar dhe praktikisht e zbatueshme e Planit të Biznesit.
• Resurset njerëzore dhe materiale për jetësimin e Planit të Biznesit.
• Kostoja e fillimit të biznesit nën 50000.00 euro.
• Burimet vetjake të financimit mbi 50%
• Deklarata e gatishmërisë për fillim të biznesit jo më larg se 30 ditë nga data
e njoftimit për zgjedhjen eventuale nga juria profesionale.
Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) do vazhdojë t’i mbështesë ndërmarrësit e rinj edhe në vitet e ardhshme.