Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, ka miratuar tri projektligje të propozuara nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, bashkë me përfaqësues të tjerë të kësaj ministrie morën pjesë në komisionin parlamentar, në të cilin u miratuan në parim Projektligji nr.08/L-074 për Turizmin, Projektligji nr.08/L-075 për Markat Tregtare dhe Projektligji nr.08/L-076 për Mbrojtjen e Sekreteve Tregtare.

Fillimisht, Ministrja Hajdari arsyetoi se Projektligji nr.08/L-074 për Turizmin synon të vendosë bazën ligjore për zhvillimin e turizmit konkurrues dhe të qëndrueshëm në Republikën e Kosovës, duke shfrytëzuar burimet natyrore, kulturore, njerëzore e financiare, në harmoni me legjislacionin e BE-së dhe standardet bashkëkohore. Projektligji zbatohet për të gjitha institucionet publike dhe operatorët ekonomikë, siç janë agjencitë turistike, udhërrëfyesit turistikë, strukturat akomoduese dhe ofruesit e tjerë të shërbimeve turistike.

“Ekspertët e projektit, të financuar nga Komisioni Evropian, kanë vlerësuar se ligji ekzistues i turizmit duhet të ndryshohet për të transpozuar Direktivën e Shërbimeve të BE-së. Po ashtu, organizatat e shoqërisë civile, duke përfshirë organizatat hulumtuese dhe shoqatat e operatorëve ekonomikë, kanë bërë thirrje gjithashtu për ndryshimin e ligjit. Konsultimet kanë përfshirë institucionet përgjegjëse, hisedarët dhe publikun e gjerë, dhe projektligji është përgatitur me kujdes për procedim në Qeveri”,  theksoi Ministrja Hajdari.

Në këtë mbledhje u sqaruan edhe Projektligji nr.08/L-075 për Markat Tregtare dhe Projektligji nr.08/L-076 për Mbrojtjen e Sekreteve Tregtare. Që të dy këto projektligje janë pjesë e 5 ligjeve e pakos së reformës të Kapitullit të VII të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, që do të harmonizojnë ligjet vendore me të BE-së në fushën e pronësisë industriale.

Ministrja Hajdari argumentoi se Projektligji për Markat Tregtare përcakton kushtet dhe mënyrën e regjistrimit të markave tregtare, duke qartësuar njëherësh procedurën e kundërshtimit. Po ashtu, projektligji në veçanti krijon bazën për digjitalizimin e shërbimeve, si dhe forcon mbrojtjen e markës tregtare përmes gjykatës, duke marrë parasysh legjislacionin vendor për procedurat gjyqësore. Fuqizimi i këtij projektligji në ligj pashmangshëm do të kontribuojë në përmirësimin e klimës së biznesit dhe në nxitjen e investimeve dhe zhvillimit në Republikën e Kosovës.

Projektligji nr.08/L-076 për Mbrojtjen e Sekreteve Tregtare zbatohet për njohuritë dhe informatat e pazbuluara të biznesit (sekreteve tregtare), që kanë efekt perspektiv brenda territorit të Republikës së Kosovës. Deri më tani nuk ka pasur legjislacion të duhur për mbrojtjen e sekreteve tregtare. Projektligji për Sekretet Tregtare, i pari i këtij lloji në Kosovë, përmbyll reformën në fushën e pronësisë industriale, duke mbrojtur veprimtarinë e ndërmarrjeve tona.

Të tri projektligjet të propozuara nga MINT, u miratuan unanimisht nga Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti dhe do të procedohen në njërën nga seancat e ardhshme plenare.

Post Image
Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors