Kompanitë prodhuese nga Kosova prezantojnë produktet në panairin ndërkombëtar “SIAL Paris 2026”

Tetë kompani nga Kosova po marrin pjesë në panairin ndërkombëtar të industrisë së ushqimit dhe pijeve “SIAL Paris 2026”, i cili po mbahet nga 17 deri më 21 tetor 2026, në Paris të Francës.

Abi Progres, Eurofood, Camel, Royal Beverage, BBF Company, Frutti, Vitafood dhe Agro-Florentina po prezantojnë produktet dhe kapacitetet e tyre prodhuese para blerësve, distributorëve dhe partnerëve potencialë ndërkombëtarë.

Pjesëmarrja e kompanive vendëse në këtë panair është organizuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), me qëllim promovimin e produkteve vendore, krijimin e bashkëpunimeve të reja afariste dhe zgjerimin e mundësive për eksport.

Kompanitë pjesëmarrëse po prezantojnë një gamë të larmishme produktesh ushqimore dhe pijesh, përfshirë ajvar, turshi, tranguj të konservuar, keçap, majonezë, marmelata, biskota, vafera, shtrudle, krem-banane, flipsa, produkte nga drithërat, produkte proteinike dhe suplemente ushqimore, si dhe lëngje frutash, pije energjike, ujë dhe çaj të ftohtë. Gjithashtu, po ekspozohen produkte organike, kërpudha të egra dhe të kultivuara, fruta mali dhe bimë mjekësore e aromatike.

Stendën nacionale të Kosovës prej 85 m², e cila është e vendosur në korridorin kryesor të sallës 4, me nr. M105, e ka vizituar edhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Francë, z. Lulzim Hiseni, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij.

Ambasadori Hiseni ka parë nga afër produktet e kompanive prodhuese kosovare dhe ka shprehur interesimin për shqyrtimin e mundësive të bashkëpunimit me institucionet dhe aktorët përkatës në Francë, me qëllim promovimin dhe lehtësimin e qasjes së tyre në tregun francez.

“SIAL Paris” është një nga panairet kryesore ndërkombëtare të industrisë ushqimore, që bashkon prodhues, distributorë, blerës dhe profesionistë të sektorit nga mbarë bota, duke ofruar mundësi për prezantimin e produkteve, inovacioneve dhe krijimin e partneriteteve të reja tregtare.

Pjesëmarrja në këtë panair synon të rrisë dukshmërinë e produkteve vendore, të forcojë pozitën e kompanive kosovare në tregjet ndërkombëtare dhe të kontribuojë në zhvillimin e sektorit prodhues dhe eksportues të Kosovës.

Panairi “SIAL Paris 2026” do të jetë i hapur deri më 21 tetor 2026.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors