Komunikatë e Përbashkët për Media e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) dhe Doganës së Kosovës (DK)

Sot, për të lehtësuar tregtinë, parandaluar monopolizimin dhe shmangur kostot e larta të testimeve laboratorike për kontrollin e cilësisë në tregun e brendshëm, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) dhe Dogana e Kosovës kanë nënshkruar një Marrëveshje Mirëkuptimi (MoU). Kjo marrëveshje garanton që testet laboratorike do të kryhen pa asnjë barrë financiare për buxhetin e MINT-it apo bizneset, duke siguruar transparencë dhe integritet në këtë proces dhe duke përmirësuar standardet e kontrollit të cilësisë.

Që nga vendimi i Ministres së MINT, Rozeta Hajdari, Dogana e Kosovës ka marrë përsipër kryerjen e testimeve laboratorike për të garantuar konformitetin e derivateve të naftës të importuara në Kosovë. Me kalimin nga laboratorët privat në laboratorët shtetërorë, kemi arritur të kursejmë ekonominë e Kosovës dhe qytetarët nga kosto të panevojshme prej 1.1 milionë eurosh.

Për më tepër, nga nëntori i vitit 2021, për herë të parë kemi nisur kontrollin e cilësisë për vajrat motorikë dhe hidraulikë. Që atëherë, laboratori i Doganës së Kosovës ka kryer testime për 910 mostra të vajrave, prej të cilave 78 nuk i kanë përmbushur standardet dhe janë ndaluar nga hyrja në treg.

Gjithashtu, kemi kryer auditimin e katër operatorëve privat të licencuar për përzierjen e karburanteve dhe vajrave për ngrohje. Pas inspektimeve, Dogana e Kosovës konstatoi se operatorët nuk po respektonin masat e mbikëqyrjes, ndërkaq MINT vendosi revokimin e licencave të tyre. Si rezultat, bazuar në kërkesat e tregut dhe rritjen e mbikëqyrjes, kemi parandaluar shmangien tatimore që mund potencialisht të ndodhte përmes këtyre operatorëve, duke kursyer buxhetin e Kosovës me rreth 3.5 milionë euro në vit.

Me fuqizimin e mëtejshëm të laboratorit shtetëror, kemi hedhur bazat për zgjerimin e kapaciteteve të tij, duke siguruar një sistem të pavarur dhe të besueshëm të testimit që i shërben nevojave të tregut dhe qytetarëve të Kosovës, rritjes së cilësisë së produkteve, mbrojtjes së konsumatorit dhe efikasitetit ekonomik.

Post ImagePost ImagePost ImagePost ImagePost ImagePost ImagePost ImagePost ImagePost Image
Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors