Ministria e Tregtisë dhe Industrisë e ka përcjellë me vëmendje dhe kujdes të shtuar situatën në sektorin e prodhimit dhe përpunimit të qumështit në Kosovë. MTI ka pasur kontakte të vazhdueshme me përfaqësues të shoqatave të këtyre bizneseve dhe ka diskutuar për shqetësimet që i kanë ngritur ato lidhur me konkurrencën nga produktet e importit.
Në takimin e fundit, të mbajtur në MTI më 18 maj, në praninë e ministres së MTI-së, Doganave të Kosovës, Administratës Tatimore, Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, është vlerësuar si nevojë urgjente themelimi i një Grupi Punues Ndër-Institucional, duke u bazuar në Ligjin për Masa Mbrojtëse në Importe.
Ky mekanizëm, formimi i të cilit tashmë është iniciuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, do të mbledhë të dhënat e nevojshme dhe do t’i trajtojë kërkesat, të cilat kanë për qëllim rregullimin e tregut vendor dhe mbrojtjen eventuale të këtij tregu nga importet.
MTI, në bashkëveprim edhe me institucionet tjera të Kosovës, është e përkushtuar që t’i përkrahë prodhuesit dhe përpunuesit vendorë të qumështit dhe për këtë qëllim do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme bazuar në legjislacionin në fuqi.