Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, ka mbajtur sot konferencë për media, me temën:
LIGJSHMËRIA NË REGJISTRIMIN E BIZNESEVE NË REPUBLIKËN E KOSOVËS
Fjalimi i plotë i Ministres Hajdari:
Përshëndetje të nderuar gazetarë!
Ju faleminderit që keni ardhur të na përcillni në këtë konferencë për media!
Përshëndetje edhe për Qytetarët tanë,
Qëllimi i kësaj konference është qe të iu informoj më shumë ju dhe publikun tonë, lidhur me çështjet e fundit për ligjshmërinë e regjistrimit të bizneseve në Republikën e Kosovës.
E di që disa prej jush e kanë marrë me shqetësim rastin e shfuqizimit të certifikatës së biznesit të Klan Kosova Sh.P.K. E kuptoj shqetësimin tuaj dhe sidomos të punonjësve medial pranë mediumit Klan Kosova, por është shumë me rëndësi që të ju siguroj se pezullimi i certifikatës së biznesit të Klan Kosova Sh.P.K. nuk e kishte fare për qëllim që ta kufizojë fjalën e lirë, lirinë e shprehjes dhe punën e mediave në vendin tonë, por vetëm që t’i zbatojë kërkesat legjitime të Kushtetutës dhe ligjeve.
Pra, qëllimi i vetëm i procesit administrativ të ARBK-së, në rastin e Klan Kosovës Sh.P.K. dhe bizneseve tjera që janë identifikuar, ka qenë zbatimi i ligjit, as më shumë, as më pak.
Pretendimet se MINT ka vepruar me qëllim që të kufizojë lirinë e medias apo me prapavijë politike, janë tendencioze dhe plotësisht të pavërteta.
MINT është i përkushtuar ndaj zbatimit dhe respektimit të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, pa kompromis, pa përjashtim dhe pa diskriminim.
Rasti i Klan Kosova sh.p.k. dhe rastet e tjera që deri tani fatkeqësisht i kemi identifikuar 48 sosh, kanë të bëjnë ekskluzivisht me çështje administrative për regjistrimin e bizneseve pranë ARBK-se , pra për të qenë të qartë:
Gjatë parashtrimit të kërkesës për regjistrimin e bizneseve, kompanitë në fjalë kanë prezantuar dokumentet me përmbajtje antikushtetuese, me ç'rast qytetet e Kosovës paraqiten si pjesë të Serbisë.
Për këtë shkak, certifikata e Klan Kosova Sh.P.K, fillimisht u pezullua, dhe biznesi në fjalë bëri ankesë, me ç’rast Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve, pas verifikimit të të gjithë dokumentacionit në dispozicion për Klan Kosova Sh.P.K., ka konstatuar se vendimi i shkallës së parë ishte i drejtë dhe në përputhje të plotë me ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.
Kjo, pasi që Komisioni ka siguruar dokumentacionin aktual nga institucioni përkatës në Maqedoninë e Veriut, për “Pronarët e Vërtetë të Subjektit”, në të cilin dokumentacion ka gjetur se Kosova paraqitet përsëri si pjesë e Serbisë.
Në bazë te dokumentacioneve të siguruara nga regjistri i biznesit në Maqedoninë e Veriut dhe dosjet që janë në regjistrin e biznesit në ARBK, Komisioni ka refuzuar ankesën e parashtruar nga pala në procedurë, duke konfirmuar të njëjtën shkelje të Kushtetutës që e ka konstatuar ARBK në shkallën e parë.
Çdo palë në procedurë gëzon të drejtën e ankimimit ndaj vendimeve të ARBK-së. Mirëpo, shkeljet e Kushtetutës nuk mund të konsiderohen kurrë si çështje "teknike".
Për të siguruar Ligjshmërine në regjistrimin e biznesit në Republikën e Kosovës, pas riverifikimit dhe pezullimit të certifikatave të biznesit për Klan Kosova Sh.P.K. dhe të ARTMOTION Sh.P.K. që ka parashtruar ankesë, për vendimin e ARBK-së, te Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë( MINT) nuk është ndalur vetëm me këto dy raste.
Me 6 korrik 2023, MINT ka themeluar edhe Komisionion për riverifikim të dosjeve në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), në veçanti të atyre me dokumentacione të dyshimta me emërtime antikushtetuese.
Përgjatë muajit korrik, 10.07.2023 deri më datë 19.07.2023, Komisioni ka riverifikuar 660 dosje të bizneseve të regjistruara në ARBK.. Fokus i riverifikimit kanë qënë dosjet që kryesisht kanë prezantuar dokumentin personal me rubrikën vendi/shteti i lindjes, apo vendbanimi aktual me emërtime kundërkushtetuese.
Si rezultat i riverifikimit të dosjeve, Komisioni ka konstatuar që, në 48 dosje të bizneseve të regjistruara në ARBK kemi emërtime kundërkushtetuese, ku në rubrikën vendi/shteti i lindjes apo vendbanimi aktual është shkruar: "Prishtinë – Kosovo Metohija, Serbia", "Pejë – Republika e Serbisë", "Gjilan – Serbia" "Gjakovë – Republika e Serbisë" etj.
Menjëherë pas pranimit të raportit të Komisionit, ARBK ka filluar dje veprimet administrative të parashikuar me ligj ( neni 10 i Ligjit për Shoqëritë Tregtare; nenet 57 dhe 58 të Ligjit për Procedurën Administrative), duke nxjerrë vendime për shfuqizimin e certifikatave të 5 bizneseve, në mes të 48 prej tyre me emërtime antikushtetuese.
Këto 5 biznese, në dokumentacionin e pronarëve apo përfaqësuesve të autorizuar, kanë përmbajtje antikushtetuese si në vijim: “Gnjilane – Serbi"; “Pristina – Serbi"; “Djakovica – Serbi"; “Kosovska Mitrovica – Serbi". Bizneset në fjalë kanë veprimtari në blerje dhe shitje të patundshmërisë personale, tregti me pakicë me porosi, ndërtim të objekteve banesore e jobanesore dhe telekomunikim kabllor.
ARBK do të vazhdoj me nxjerrjen e vendimeve edhe ndaj bizneseve të tjera të cilat e kanë kryer shkeljen e njëjtë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Më lejoni poashtu të ju njoftoj se përveç këtyre masave ndaj bizneseve, janë iniciuar edhe kallëzime penale ndaj personave përgjegjës të kompanive dhe zyrtarëve përgjegjës në ARBK e poashtu edhe procedura disiplinore ndaj zyrtarëve të ARBK-së.