Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), në bashkëpunim me Dhomën Ekonomike të Grave të Kosovës, bashkorganizoi konferencën “She Rises Regional 2026”, e cila mblodhi përfaqësues nga tri vende të rajonit për të diskutuar fuqizimin ekonomik të grave dhe rritjen e rolit të tyre në biznes, udhëheqje dhe vendimmarrje.
Kjo konferencë vjen pas nismës së nisur në qershor të këtij viti me konferencën e ndërmarrësisë së grave “She Rises”, e cila në tetor u zgjerua në nivel rajonal përmes “She Rises Regional 2026”.
Në këtë ngjarje mori pjesë edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, e cila përcolli një mesazh për rëndësinë e fuqizimit ekonomik të grave dhe vajzave. Ndërkaq, kryetarja e Bordit të Dhomës Ekonomike të Grave të Kosovës, Afërdita Saraçini Kelmendi, prezantoi idenë e institucionalizimit të kësaj strukture në nivel rajonal, me synimin e zgjerimit të bashkëpunimit dhe përfaqësimit të grave në ekonomi.
Në kuadër të konferencës, ministrja Mimoza Kusari-Lila mirëpriti ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit të Shqipërisë, Delina Ibrahimaj, dhe ministrin e Ekonomisë dhe Punës të Maqedonisë së Veriut, Besar Durmishi.
Diskutimet u përqendruan në masat që po ndërmerren për mbështetjen e grave ndërmarrëse dhe në hapat e mëtejshëm për thellimin e bashkëpunimit ekonomik rajonal.
Gjatë diskutimeve u trajtuan jo vetëm mundësitë për financim dhe hapjen e bizneseve të reja, por edhe sfidat që ndikojnë në qëndrueshmërinë dhe zhvillimin e tyre. Flandra Marmullaku, partnere menaxhuese e Data4X, ngriti çështjen e jetëgjatësisë së bizneseve, duke nënvizuar nevojën që mbështetja të mos përqendrohet vetëm në themelimin e tyre, por edhe në zhvillimin e kapaciteteve për konsolidim dhe rritje afatgjatë.
Ndërkaq, ish-presidentja Atifete Jahjaga foli për nevojën e rritjes së përfaqësimit të grave në pozita udhëheqëse në institucionet publike dhe sektorin privat. Pjesëmarrja më e madhe e grave në vendimmarrje u trajtua si një element i rëndësishëm për avancimin e barazisë dhe krijimin e mundësive të barabarta.
Në pjesën përmbyllëse, ministrja Kusari-Lila zhvilloi një bashkëbisedim me përfaqësues të bizneseve nga qytete të ndryshme të Kosovës, ku u diskutuan sfidat me të cilat përballen ndërmarrjet dhe mekanizmat që MINTI ka vënë në zbatim për t’i mbështetur ato. Temat përfshinë skemat e mbështetjes, financimin, certifikimin, inovacionin dhe promovimin e produkteve vendore.
Ministrja i inkurajoi përfaqësuesit e bizneseve të mbajnë komunikim të drejtpërdrejtë me Ministrinë dhe agjencitë përkatëse, të informohen me kohë për mundësitë e ofruara dhe të shfrytëzojnë mbështetjen institucionale për zhvillimin e veprimtarisë së tyre.
“She Rises Regional 2026” shënon zgjerimin e bashkëpunimit rajonal për fuqizimin ekonomik të grave, me fokus në krijimin e mundësive për ndërmarrësi, rritjen e përfaqësimit në vendimmarrje dhe zhvillimin e bizneseve të qëndrueshme.



