Kosova bëhet me ueb-platformë për adresimin dhe eliminimin e shpejtë të barrierave tregtare

Bizneset kosovare tanimë do të kenë shumë më të lehtë adresimin e barrierave tregtare gjatë eksportit, importit apo kalimit transit më mallrat e tyre. Kjo është mundësuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, respektivisht nga Departamenti i Tregtisë, i cili në bashkëpunim më projektin e BE-së për mbështetjen e mëtutjeshme të politikave tregtare, ka krijuar ueb-platformën e re, e cila do t’u shërbejë bizneseve në Kosovë, që t’i adresojnë barrierat e tyre për zgjidhje.

Të gjitha barrierat tregtare, që bizneset kosovare i hasin gjatë eksportit, importit apo kalimit transit me mallrat e tyre në shtetet tjera, qoftë nga pika kufitare apo diku tjetër, do të bëhet shumë shpejt adresimi i tyre te mekanizmat relevantë.

“Ne kemi arritur të krijojmë një mekanizëm apo instrument, i cili do të bëjë të mundur komunikimin në kohë reale të pengesave me të cilat ballafaqohen bizneset gjatë realizimit të transaksioneve ndërkombëtare, pra gjatë eksportit, importit, dhe transitit. Kjo do të bëjë të mundur që institucionet relevante qeveritare të reagojnë shpejt në marrjen e masave të nevojshme për evitimin e barrierave/problemeve në transaksionet ndërkombëtare”, tha Zef Dedaj, zyrtar i lartë për hartimin e politikave tregtare në MTI.

Sipas tij, Departamenti i Tregtisë mban komunikim të vazhdueshëm me përfaqësuesit e sektorit privat, qoftë nga sektori bujqësor, ai industrial dhe sektorë të tjerë, për të zgjidhur problemet e tyre tregtare, përmes mekanizmit të CEFTA-s.

“Përfitues kryesorë të kësaj platforme janë bizneset, të cilat në kohë reale janë në gjendje të komunikojnë barrierat me të cilat ballafaqohen jashtë vendit. Gjithashtu, edhe institucionet relevante, veçanërisht ato të lidhura me tregtinë, nga kjo platformë do të marrin informacionet relevante që do t’u shërbejnë për të përmirësuar qasjen e bizneseve të Kosovës në tregjet e jashtme”, theksoi Dedaj.

Sipas tij kjo ueb-platformë, që pritet të jetë funksionale me linkun e saj në të gjitha ueb faqet relevante, dhe informatat e mbledhura nga kjo platformë do ta bëjnë pozitën e Kosovës në institucionet ndërkombëtare kryesisht në CEFTA më substanciale, ndërsa bizneseve punën më të lehtë.

“Platforma është shumë praktike. Thjesht, një biznesi i duhet të ketë qasje në internet dhe për pak minuta të bartë në platformë informatat e tij lidhur me problemet e tij kudo që është ai”, shtoi Dedaj.

Kjo ueb-platformë për adresimin dhe eliminimin e shpejtë të barrierave tregtare të bizneseve kosovare është realizuar në bazë të praktikave më të mira ndërkombëtare në diskutim me palët e interesit dhe e përgatitur nga ekspertë të IT-së dhe në përkrahje të Projektit të BE-së për Politika Tregtare.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors