Më datën 13 Prill 2016 në Qendrën Informative dhe Kulturore të Bashkimit Europian u mbajt debati me panelistët nga institucionet e pronësisë intelektuale në Kosovë.
Ky debat është organizuar në temën “Të Drejtat Pronësore Intelektual dhe Marrëveshja e Stabilizim Asociimit”. Pjesëmarrës në panelin diskutues ishin: z. Xhafer Tahiri, Drejtor i Përgjithshëm, Agjencia e Pronësisë Industriale – MTI; z. Valon Kashtanjeva, Drejtor, Zyra për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta – MRKS; z. Shaip Havolli, Major, Policia e Kosovës – MPB; dhe z. Sadije Topojani, Udhëheqëse e Sektorit të Pronësisë Intelektuale, Dogana e Kosovës – MF. Fillimisht debati filloi me nga një prezantim të përfaqësuesve të institucioneve kryesore të fushës së pronësisë intelektuale, dhe të arriturat, ashtu sikurse sfidat, që kanë arritur institucionet Kosovare në drejtim të realizimit të obligimeve që dalin nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Europian. z. Tahiri, pasi që i njoftoi të pranishmit se Agjencia e Pronësisë Industriale, është organ qendror administrativ i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë dhe është përgjegjës për regjistrimin dhe mbrojtjen ligjore të shpikjes, markës tregtare, dizajnit industrial, emërtimit të origjinës, treguesve gjeografik si dhe çështjet e tjera që dalin nga obligimet e Kosovës në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare nënshkruese e të cilave është Republika e Kosovë. Z. Tahiri po ashtu foli për rëndësinë ekonomike të pronësisë intelektuale dhe për faktin se jo pronësia intelektuale shpërblen inovatorët dhe u mundëson të gjithë shpikësve dhe kijuesve që të përfitojnë nga arritjet e tyre. Me këtë rast vihet në theks rëndësia e veçantë ekonomike e pronësisë intelektuale për Kosovën. Nga panelistët u theksua se Kosova ka plotësuar kornizën ligjore e cila është në harmoni të plotë me acquis në fushën e pronësisë intelektuale. Përgjithësisht, Pronësia Intelektuale është një nga komponentët e MSA-së për Kosovën. Në nenin 77, 78, të saj, MSA përcakton obligimet që do të marrë Kosova me rastin e hyrjes në fuqi të kësaj Marrëveshje. Neni 78 thekson se me hyrjen në fuqi të kësaj Marrëveshje, palët do t'i japin kompanive të njëra-tjetrës, shtetasve të BE-së dhe qytetarëve të Kosovës, sa i përket pranimit dhe mbrojtjes së pronësisë intelektuale, industriale dhe tregtare, trajtim jo më pak të favorshëm se atë që ata i japin nga ana e tyre ndonjë vendi të tretë nën Marrëveshjet dypalëshe. Në këtë kontekst, ne kemi pranuar kushte të barabarta mes kompanive vendore dhe atyre të BE-së. Sipas paragrafit 2 të nenit 77 theksohet që Kosova do të marrë masat e nevojshme në mënyrë që të garantojë një nivel të ngjashëm të mbrojtjes së të drejtave të pronësisë intelektuale me ato që ekzistojnë në BE-së. Institucionet Kosovare të pronësisë intelektuale janë të obliguara që kushtet e parapara në MSA t’i përmbushin brenda 5 viteve.