Me temën “Tregtojmë së Bashku, Drejt Europës”, Java CEFTA 2025 (1–3 dhjetor) mblodhi përfaqësues të lartë nga vendet anëtare të CEFTA, Komisioni Evropian, organizatat rajonale e ndërkombëtare, partnerë për zhvillim, përfaqësues nga sektori privat dhe nga akademia.
Gjatë kësaj jave u rikonfirmua angazhimi i përbashkët për thellimin e integrimit ekonomik rajonal dhe avancimin e Tregut të Përbashkët Rajonal drejt integrimit në Tregun e Vetëm Evropian!
Si Kryesuese e CEFTA për vitin 2025, kisha nderin të hap konferencën kryesore “CEFTA WEEK 2025: Trading Together, Towards Europe”, që pasoi në vijim të takimeve të organeve të CEFTAa dhe ngjarjeve të veçanta të mbajtura më 1–2 dhjetor, 2025.
Konferenca reflektoi mesazhet me vlerësimet e larta nga Valentina Superti (Komisioni Evropian, DG ENEST), Amer Kapetanović (Sekretar i Përgjithshëm, RCC), Matej Zakonjšek (Drejtor, Komuniteti i Transportit) dhe Pranvera Kastrati (Drejtoreshë, Sekretariati CEFTA), për kryesimin e suksesshëm të CEFTA-së nga Kosova, përgjatë vitit 2025.
Panelet frymëzuese të studentëve deri te debatet në nivel të lartë dhe studimet praktike të temave përkatëse, theksuan se si integrimi më i thellë ekonomik në rajon, po formëson një të ardhme më konkurruese drejt integrimit në Tregun e Vetëm Evropian.
Panelistët eksploruan në zhvillimin e mëtejmë të CEFTAs, integrimin ekonomik rajonal, lehtësimin e tregtisë dixhitale, rolin e Inteligjencës Artificiale, bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë dhe Tabelën e re të Konvergjencës Ekonomike të OECD-së.
Java CEFTA 2025 dëshmoi se një rajon më i integruar është një rajon më i fortë dhe më afër Bashkimit Evropian
REZULTATET KRYESORE:
Përfaqësim i barabartë i Kosovës në CEFTA, pas largimit përfundimtar të UNMIK:
Pas 13 viteve zbatim te Marrëveshjes CEFTA, për herë të parë, morëm iniciativën zyrtare për të rregulluar përfaqësimin e Kosovës në CEFTA.
24 Shtator, 2021, si ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, adresova letrën në sekretariatin e CEFTA-s në Bruksel, me kërkesën për largimin e UNMIK-ut nga ky mekanizëm dhe që Kosova të përfaqësohet e barabartë si vendet e tjera.
9 tetor, 2024, në Takimin Special të Komitetit të Përbashkët në CEFTA, miratuam Vendimin për Ndryshimin e Rregullave të Procedurës, me ç’rast larguam përfundimisht pjesëmarrjen e UNMIK në CEFTA dhe përfaqësimin e Kosovës në CEFTA vetëm nga institucionet e saj.
1 janar 2025, një arritje historike për Kosovën – morëm kryesimin e Komitetit të Përbashkët të CEFTA-së për vitin 2025, për herë të parë nga institucionet e Kosovës.
Vazhdimësia institucionale e CEFTAs, pas një bllokimi dyvjeçar:
7 mars, 2025, në Takimin e Parë të Komitetit të Përbashkët të CEFTA-së me kryesim nga Kosova, në Prishtinë, prioritizuam koordinim më të fuqishëm në të gjitha mekanizmat e CEFTA-së – duke inkurajuar të gjitha Palët e CEFTA-së, që të kalojmë nga angazhimet në rezultate konkrete, për zbatimin e plotë të detyrimeve të CEFTA-së, pa asnjë vonesë.
16 korrik, 2025, në Takimin e Dytë të Komitetit të Përbashkët të CEFTA-s, me kryesim nga Kosova, arritëm një hap të rëndësishëm: vazhdimësinë institutionale të CEFTA-s për integrimin ekonomik të rajonit me tregun e BE-së. Përmes një procesi transparent, bazuar në meritokraci, me votim me konsenus të plotë, emëruam znj. Pranvera Kastrati në pozitën e Drejtores së Sekretariatit të CEFTA-së, pas një bllokimi dyvjeçar.
Forcimi i Tregtisë së Lirë të Mallrave dhe Shërbimeve dhe Avancimi i Tregut të Përbashkët Rajonal drejt integrimit në Tregun e Vetëm Evropian:
Gjatë vitit 2025, Sekretariati i CEFTAs vazhdoi funksionin në mbështetje të zbatimit të agjendës strategjike të CEFTAs, lehtësoi dialogun ndërmjet Palëve dhe siguroi zbatimin efektiv të masave të CEFTA-s në kuadër të Planit të Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal (CRM2).
Komiteti i Përbashkët i CEFTA-së, i udhëhequr nga Kosova, miratoi 11 vendime kyçe gjatë vitit 2025. Këto vedime përfshijnë:
• Njohjen e ndërsjellë të operatorëve ekonomikë të autorizuar (AEO)
• Shkëmbimin elektronik të të dhënave për barnat me substanca të kontrolluara.
• Forcimin e statistikave të tregtisë.
• Bashkëpunimin dixhital.
• Strategjinë e Menaxhimit të Rrezikut Doganor 2025–2028.
Si Kryesuese për CEFTA gjatë këtij viti 2025, falënderoj palët anëtare të CEFTAs, për kontributin dhe pjesëmarrjen e tyre aktive në zbatimin e Programit të Punës së Komitetit të Përbashkët CEFTA për vitin 2025.
Falënderim dhe mirënjohje ndaj Komisionit Evropian për mbështetjen e fortë, në lidhje me njohjen reciproke të dokumenteve dhe marrëveshjeve, si dhe për mbështetjen financiare për mirëfunksionimin e CEFTAs.
Falëndërim ndaj partnerëve ndërkombëtarë, komunitetit të biznesit, akademisë, për bashkëpunimin e tyre të çmuar.
Java e CEFTA 2025 në Prishtinë përmbylli kryesimin historik të Kosovës dhe hapi rrugën për Shqipërinë si kryesuese e CEFTA në vitin 2026. Homologes shqiptare znj. Delina Ibrahimaj, ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit, i uroj shumë suksese në kryesimin për CEFTA në vitin 2026!




















