Me mbështetjen nga agjencia KIESA në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, po marrin pjesë 8 kompani vendore të industrisë përpunuese të metalit dhe të teknologjisë së informacionit e komunikimit (TIK), në panairin më të rëndësishëm industrial në botë “Hannover Messe 2025 ” gjatë ditëve 31 mars – 4 prill, në Gjermani.
Në këtë panair, mbi 4000 kompani pjesëmarrëse nga bota, të inxhinierisë mekanike, industrisë elektrike dhe dixhitale dhe sektori i energjisë, po veprojnë si një ekosistem industrial i lidhur në rrjet, duke paraqitur dhe demonstruar zgjidhje për një industri të fuqishme dhe të qëndrueshme, se si mund të arrihet neutraliteti i klimës përmes elektrifikimit, dixhitalizimit dhe automatizimit.
Kryeministri i Republikës së Kosovës z Albin Kurti dhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, të shoqëruar nga Ambasadori i Republikës së Kosovës në Gjermani, z. Faruk Ajeti dhe këshilltarët, vizituan Pavijonin e Republikës së Kosovë me kompanitë pjesëmarrëse në panair: Tenton Sh.P.K, Innovation Academy Sh.P.K, Proton Cable L.L.C, Kolegji Ndërkombëtar për Biznes dhe Teknologji UBT Sh.P.K, Nori Glass Sh.P.K., ITE Sh.P.K, Euro Eco Transformers Sh.P.K dhe Talent Management Services Sh.P.K, me të cilët bashkë biseduan për sukseset e tyre në marrjen e përvojave të fundit në inovacion e teknologji, si dhe rritjen e rrjetëzimit dhe eksporteve në tregun botëror.
Në vazhdim të vizitës, delegacioni nga Kosova u mirëprit nga drejtori ekzekutiv i "Deutsche Messe" Jochen Köckle, me të cilin u bisedua për organizimin e një ngjarje ekonomike në Kosovë, në temat lidhur me inovacionin dhe investimet.
Takimet vazhduan në pavijonet e kompanive lidere si Bosch Rexroth, Festo, Siemens, Aleph Alpha, SAP, Schneider Electric, përfaqësuesit e të cilave u njoftuan për progresin dhe përparësitë e vendit tonë, gjersa ata paraqitën projektet e tyre në fushat e automatizimit industrial, inteligjencës artificiale, transformimit digjital, burimeve të ripërtërishme të energjisë dhe teknologjitë e avancuara të prodhimit.
Me synim forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe rritjen e shkëmbimeve bilaterale, vizita vazhdoi me një takim frytdhënës me Kryeministrin e landit të Baden-Württemberg, z. Winfried Kretschmann, Ministrin e Shtetit z. Jörg Krauss, Drejtoreshën e Departamentit Dr. Natalia Jaekel dhe Drejtorn e Departamentit z. Matthias Gauger.
"Baden-Württemberg është një nga qendrat kryesore të inovacionit dhe prodhimit në Evropë, nga të cilat përvoja mund të përfitoj vendi ynë.
Qeveria jonë mbetet e përkushtuar për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, përmes rritjes së industrisë me orientim në inovacion", theksoi Ministrja Hajdari.

















