Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari dhe Ministrja e Ekonomisë, znj. Artane Rizvanolli, të shoqëruara nga Zv. Ministri i MINT, z. Mentor Arifaj, dhe u.d Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), z. Zef Dedaj, pritën sot në takim një delegacion të bizneseve nga Suedia, të cilët po e konsiderojnë Republikën e Kosovës si një destinacion me potencial të madh për të investuar dhe zgjeruar planet e tyre të biznesit edhe në vendin tonë.
Delegacioni suedez, u shoqërua nga ambasadori i Suedisë në Kosovë, z. Jonas Westerlund, Këshilltari i Lartë për Investime në Agjencinë Suedeze për Promovimin e Investimeve ‘’Invest in Skåne”, z. Jeton Jasharaj, Kryetarja e Odës Ekonomike Nordike në Kosovë, znj. Afërdita Ibrahimi dhe përfaqësues tjerë të biznesit-anëtarë të kësaj Ode Ekonomike.
Përgjatë takimit, të pranishmit u njoftuan me mundësitë e shumta që ofron Republika e Kosovës për investitorët e huaj. Të njëjtit, u informuan në hollësi për reformat strukturore dhe përmirësimin e ambientit për të bërit biznes në Kosovë, duke i dhënë theks të veçantë përparësive ‘nearshoring’ për investime, progresit demokratik dhe ekonomik.
Diskutimet vazhduan edhe për sektorë të ndryshëm industrial, ku në këtë kontekst u diskutuan Politika Industriale, ligjet dhe instrumentet përkrahëse për rritjen e eksporteve, mbrojtjen dhe lehtësimin e investime, planet aktuale në ndërtimet e parqeve industriale dhe teknologjike dhe zhvillimit të ekosistemit inovativ.
Diskutime interaktive pati edhe gjatë elaborimit të përvojave të suksesshme për krijimin e lidhjeve në mes bizneseve dhe krijimit të një mekanizmi të suksesshëm për përkrahjen e inovacionit përmes Fondit të ri për Inovacion. Për më shumë, programi i ‘Tregut të Përbashkët’, pjesë e së cilit tash është edhe Kosova, do t’i mundësojë bizneseve të kenë bashkëpunime të ngushta dhe të krijohen ura lidhëse me bizneset e shteteve evropiane.
Në fund, bizneset suedeze shprehën përshtypjet e tyre të mira për ambientin e të bërit biznes në Kosovë me konsideratë të lartë për rinin e talentuar dhe shprehën poashtu gatishmërinë e tyre për të investuar në vendin tonë, duke konsideruar mundësitë e shumta që u ofrohen atyre, si në aspektin e lehtësirave ligjore, tatimore, ashtu edhe në shfrytëzimin e resursit njerëzor.





