Prishtinë,
01/05/2026
Në këtë panair, Kosova prezantohet përmes një hapësire të dedikuar ekspozuese, ku promovon potencialin e saj në fusha të ndryshme, përfshirë turizmin, gastronominë, industrinë ushqimore dhe të pijeve, investimet, eksportin, artizanatin, inovacionin, si dhe sektorë të tjerë ekonomikë dhe kulturorë.
Përmes këtij prezantimi, Kosova synon të pozicionohet si një destinacion atraktiv turistik, duke vënë në pah bukuritë natyrore, trashëgiminë kulturore dhe ofertën e pasur turistike. Njëkohësisht, theks i veçantë i kushtohet promovimit të produkteve dhe shërbimeve vendore, të cilat paraqiten si produkte me cilësi të lartë dhe me potencial të konsiderueshëm për eksport në tregjet ndërkombëtare.
Pjesëmarrja në “Foire de Paris 2026” shfrytëzohet gjithashtu për krijimin dhe zhvillimin e kontakteve me kompani ndërkombëtare, investitorë potencialë dhe partnerë të rinj biznesorë, me qëllim të zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik, promovimit të klimës së favorshme për investime dhe rritjes së eksporteve nga Kosova.
Ky panair ndërkombëtar mbledh mijëra ekspozues nga e gjithë bota dhe përfshin një gamë të gjerë sektorësh, duke përfshirë produkte për shtëpi dhe jetesë, gastronomi, inovacion, kulturë dhe industri kreative, duke ofruar kështu një platformë të rëndësishme për promovimin e produkteve dhe shërbimeve kosovare.
Pjesëmarrja e Kosovës në këtë panair përbën një mundësi të rëndësishme për rritjen e vizibilitetit ndërkombëtar të vendit, promovimin e potencialit ekonomik dhe forcimin e lidhjeve tregtare me partnerë ndërkombëtarë.
Panairi do të jetë i hapur për vizitorë deri më 11 maj 2026.