Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, bashkë me kryeministrin e vendit, z. Albin Kurti, zhvilluan një vizitë në Vatikan, ku u pritën nga autoritetet e larta të Selisë së Shenjtë.
Ajo dhe delegacioni i Kosovës patën mundësi të takoheshin dhe të shkëmbenin mendime me Atin e Shenjtë, Papa Françeskun, pas audiencës së kryeministrit Kurti.
Takimet me Atin e Shenjtë dhe më pas me Sekretarin e Shtetit, Kardinalin Pietro Paroli, qenë shumë të përzemërta, për çka kryeministri Kurti dhe ministrja Hajdari u shprehën tejet falënderues.
Në të dyja takimet, kryeministri theksoi se Republika e Kosovës është e përcaktuar për paqe, dialog dhe bashkëpunim.
Me Papa Françeskun, kryeministri bisedoi gjatë për rininë, për figurën, veprën dhe trashëgiminë e Nënës Terezë, për Letnicën e Vitisë ku asaj i erdhi thirrja për devocion, si dhe për bashkëjetesën fetare në Kosovë. Kryeministri e njoftoi Atin e Shenjtë edhe për suksesin demokratik dhe ekonomik të vendit, dhe për arritjet e qeverisjes së deritanishme.
Kryeministri Kurti tha se politika është shërbim, teksa e ftoi Shenjtërinë e tij, Papa Françeskun që ta vizitojë Kosovën dhe i dëshiroi shëndet të plotë, pas operacionit kirurgjik që kishte së fundmi.
Ata u pajtuan se duhet që përherë të jemi pranë e me popullin i cili ka nevojë për dashuri dhe drejtësi


