Sot, Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, i shoqëruar nga ministrat Rozeta Hajdari dhe Faton Peci, hapi stendën e Republikës së Kosovës në panairin më të madh ndërkombëtar të industrisë së ushqimit dhe pijeve, SIAL Paris, në Paris të Francës. Më pas, Kryeministri, së bashku me ministrat, vizitoi 8 bizneset pjesëmarrëse në stendën e Kosovës, e cila shtrihet në një sipërfaqe prej 85 m² në panairin SIAL Paris.
Pjesëmarrja e këtyre bizneseve u mundësua përmes organizimit dhe mbështetjes financiare prej 100,000 euro nga Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve (KIESA), në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Bizneset pjesëmarrëse për këtë vit janë:
• Agro Florentina Sh.p.k
• Ananas Impex Sh.p.k
• VITA FOOD Sh.p.k
• CAMEL Sh.p.k
• B.B.F Company Sh.p.k
• ABI Progress Sh.p.k
• ASK Foods Sh.p.k
• Jaffa Plus Sh.p.k
Këto kompani po ekspozojnë produkte nga industria e përpunimit të produkteve bujqësore, përpunimi i pemëve dhe perimeve, produkte konditorike, fruta të imta e të ngrira industriale, si dhe pije energjike e lëngje frutash.
Gjithashtu, Kryeministri Kurti dhe ministrat Hajdari dhe Peci vizituan edhe bizneset Kraco dhe Agro Blend Group nga Shqipëria, të cilat po marrin pjesë me vetë-financim në këtë panair.
Panairi më i madh botëror i ushqimit dhe inovacionit, SIAL Paris, këtë vit feston 60-vjetorin dhe përfshin 7,500 ekspozues nga 125 shtete, të organizuar në dhjetë nën-sektorë të kësaj industrie. Panairi shtrihet në një hapësirë prej 257,000 m².
SIAL Paris ka shërbyer si një burim i rëndësishëm i njohurive strategjike për industrinë ushqimore gjatë gjashtë dekadave të fundit, duke fuqizuar akterët kryesorë të sektorit.
Në vitet 1950, Evropa Perëndimore po dilte nga mungesat e shkaktuara nga Lufta e Dytë Botërore. Falë Politikës së Përbashkët Bujqësore (CAP), vendet kryesore bujqësore në tregun e përbashkët rikuperuan shpejt kapacitetet prodhuese. Fillimisht, objektivi ishte vetë-mjaftueshmëria ushqimore, por ai u zgjerua për të përfshirë një dimension tregtar, duke e bërë eksportin po aq të rëndësishëm sa tregtia e brendshme. Si një prej prodhuesve kryesorë bujqësorë në komunitet, Franca u bë pjesë e kësaj nisme, duke hapur ekspozitën tregtare SIAL Paris.

















