Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, të hënën kanë zhvilluar një takim të hapur dhe kanë bashkëbiseduar me komunitetin e biznesit.
Takimi është thirrur në kuadër të komunikimeve të rregullta të Qeverisë me komunitetin e biznesit, me qëllim të thellimit të mëtejmë të dialogut publiko-privat që është institucionalizuar me riaktivizimin e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik të Kosovës.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, tha se është kënaqësi e veçantë që t’i uroj mirëseardhje në këtë takim të përbashkët të komunitetit të biznesit me kryeministrin e Republikës së Kosovës dhe me përfaqësues institucionalë, me të cilin do të bashkëbisedohet për progresin dhe sfidat për përmirësimin e ambientit të biznesit që kemi bërë gjatë këtyre 7 muaj e gjysmë.
“Siç e dini Qeveria e Republikës së Kosovës nën udhëheqjen e kryeministrit Mustafa, ka iniciuar një sërë reformash në sfera të ndryshme ekonomike. Ato do të shpalosen sot vetë nga kryeministri Mustafa, dhe unë po përmend vetëm disa që kanë ndodhë gjatë kësaj periudhe”, tha ministrja Bajrami.
Ministrja theksoi miratimin e pakos së re fiskale e cila hyn në fuqi nga 1 shtatori i këtij viti, miratimin e Projektligjit për Fondin për Garantim të Kredive në Qeveri, i cili pritet të kalohet shpejt në Parlament, dhe miratimin në Qeveri të Koncept-dokumentin për ligjin për investimet strategjike dhe kemi rifunksionalizuar Këshillin Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, i cili tashmë vetëm ka adresuar disa çështje që janë ngritur në takimin e dytë.
“Për këtë takim ne nuk kemi paraparë agjendë formale. Siç e thashë në fillim kryeministri vet do të paraqes një pasqyrë të punëve që Qeveria ka bërë gjatë këtyre muajve që i kemi lënë pas dhe ju keni rastin që të reflektoni punën e deritanishme të Qeverisë dhe të paraqitni komentet, sugjerimet, vërejtjet, ankesat dhe propozimet konkrete që keni për temat që ju preokupojnë juve”, ka thënë ministrja Bajrami.
Përfaqësuesit e bizneseve kanë vlerësuar lartë hapat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës dhe dialogun e deritashëm të Qeverisë me bizneset, duke kërkuar përkrahje edhe më të madhe dhe thellim të mëtejmë të masave për përshpejtimin e zhvillimit ekonomik të vendit.